VANHORN: MBËSHTES SHQIPËRINË NË RRUGËN E INTEGRIMIT EUROPIAN

E Ngarkuara me Punë e SHBA-ve në Tiranë, Nancy VanHorn shprehu përkushtimin për të mbështetur Shqipërinë në rrugën drejt integrimit evropian dhe për të forcuar më tej lidhjet mes dy vendeve.

Përmes një videomesazhi të publikuar nga ambasada e SHBA-së në Tiranë, VanHorn shpreh interesin për të zbuluar dhe mësuar më shumë për Shqipërinë.

“Nga viti 2007 kur ju bashkova Shërbimit të Jashtëm të Shteteve të Bashkuara, kam punuar si diplomate në të gjithë Europën Lindore, përfshirë ambasadat në Ukrainë, Armeni dhe Rusi”, u shpreh ajo.

VanHorn u shpreh e emocionuar që ndodhet në Shqipëri dhe që do të punojë për qëllimet e përbashkëta për të promovuar vlerat demokratike, për të rritur sigurinë dhe bashkëpunimin si aleatë të NATO-s dhe për të çuar përpara rritjen ekonomike”.

“Kam qenë duke mësuar shqip dhe mezi pres të zbuloj vetë kulturën e pasur të Shqipërisë. Për këtë më duhet ndihma juaj për të filluar. Faleminderit për mikpritjen tuaj të ngrohtë në vendin tuaj të bukur. Pres me kënaqësi të zbuloj, të mësoj dhe të krijoj miqësi që i qëndrojnë kohës”, u shpreh VanHorn.

Nancy VanHorn është një diplomate karriere, e cila iu bashkua Shërbimit të Jashtëm në 2007 dhe së fundi përfundoi detyrën e saj si Zëdhënëse e Byrosë së Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike, duke koordinuar mesazhet për më shumë se 40 ambasada në Evropë.

Ajo zëvendëson në këtë detyrë David Wisner, i cili përfundoi misionin e tij në vendin tonë ndërkohë që prej më shumë se një viti pritet konfirmimi nga senati amerikan i ambasadorit te ri David Kostelancik.

SHARE