SPAJIQ: DO TË BËJMË GJITHÇKA PËR TË KUFIZUAR RRITJEN E ÇMIMEVE

Qeveria do të bëjë gjithçka për të kufizuar rritjen e çmimeve dhe për të mundësuar që rritja e pagave përmes programit „Evropa Tani 2“ të jetë e qëndrueshme, në mënyrë që qytetarët të ndjejnë përfitimet, tha kryeministri i Malit të Zi, Millojko Spajiq.

“Qeveria do të bëjë gjithçka për të kufizuar rritjen inflacioniste dhe për të bërë të mundur që rritja e pagave përmes „Evropa Tani 2“ të jetë e qëndrueshme dhe që qytetarët ta ndjejnë rritjen dhe të mos shohin një garë midis çmimeve dhe rritjes së pagave”, tha Spajiq në një intervistë me agjencinë MINA.

Ai tha se politika e Qeverisë do të jetë që rritja e pagave të jetë gjithmonë më e lartë se rritja e inflacionit.

„Kjo është diçka që do t’i përmbahemi deri në fund”, tha Spajiq.  

Duke folur për rezultatet e deritanishme të Qeverisë në fushën e ekonomisë, ai kujtoi se përmes programit „Evropa Tani 2“ do të rriten pagat për të gjithë të punësuarit në vend, rreth 300 mijë prej tyre, mesatarisht 25 për qind.

I pyetur se a do të realizohet premtimi për orarin 7-orësh, Spajiq është përgjigjur se çdo premtim i dhënë qytetarëve në fushatën për zgjedhjet parlamentare do të realizohet.

“Së shpejti do të zbatohet orari 7-orësh. Është shumë e rëndësishme që të flasim me punëdhënësit dhe sindikatat, në një marrëveshje dhe dialog social, i cili fatkeqësisht nuk është përdorur kurrë në mënyrën e duhur. Duhet të nxisim dialogun social dhe të fokusohemi në komunikimin e vazhdueshëm me partnerët social”, tha Spajiq.  

Spajiq theksoi se për momentin janë 14 seksione të autostradave dhe rrugë të shpejta që janë në një fazë të ndërtimit.

Spajiq tha se plani përfshin rrugë të shpejta Podgoricë-Nikshiq, Nikshiq-Plevla përmes Shavnikut dhe Zhablakut, si dhe rrugën nga Podgorica, përmes Tuzit deri në kufirin shqiptar.

“Në këtë mënyrë do të përfitojnë të gjitha komunat në Mal të Zi nga ky lloj zhvillimi i investimeve, i cili do të ndodhë në gjashtë vitet e ardhshme. Do të ndryshojë të ardhmen tonë, të ardhmen ekonomike. Nuk e kam thënë kot se Mali i Zi ka potencial të madh ekonomik dhe për këtë jam i bindur”, tha Spajiq.

SHARE