NUK DO TË RRITEN ÇMIMET E TEKSTEVE SHKOLLORE

Prindërit nuk duhet të kenë frikë se me miratimin e Strategjisë Fiskale do të ketë rritje të çmimeve të teksteve shkollore, gjë që do të rëndonte më tej buxhetet e familjeve, tha për “Vijesti” Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit.

Draft strategjia fiskale parasheh rritje të normës së TVSH-së nga 7 në 15 për qind për librat dhe shtypin, por departamenti i udhëhequr nga Angjella Jakshiq-Stojanoviq pohon se kjo nuk vlen për tekstet dhe mjetet mësimore.

Nxënësit e shkollave fillore marrin pa pagesë komplete tekstesh, për të cilat shteti ndan çdo vit rreth katër milionë euro.

“Në draft strategjinë fiskale nuk është parashikuar rritje e TVSH-së për tekstet dhe materialet mësimore, por ato do të taksohen me një normë të reduktuar prej 7 për qind, si në periudhën e kaluar. Prandaj, nuk do të ketë rritje të çmimit të teksteve shkollore, e për rrjedhojë nuk do të ketë ngarkesë shtesë financiare për prindërit mbi këtë bazë”, thekson Ministria e Arsimit.

Ata rikujtojnë gjithashtu se të gjitha tekstet e shkollave fillore u jepen nxënësve pa pagesë dhe se paratë për këtë janë paraparë në buxhetin e Ministrisë së Arsimit.

“Të vetëdijshëm për rëndësinë e librave të shtypur, veçanërisht në kuadër të të gjitha sfidave me të cilat përballet shoqëria në epokën digjitale, ruajtja e kulturës së leximit dhe nxitja e shkrim-leximit do të mbetet një nga aktivitetet prioritare në punën e Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit”, theksoi Ministria e Arsimit.

SHARE