JAKSHIQ-STOJANOVIQ: HAPI I PARË DREJT KTHIMIT TË DINJITETIT TË PROFESIONIT TË MËSIMDHËNËSIT

Me iniciativë të Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Qeveria e Malit të Zi miratoi dje Informacionin për nevojën e shqyrtimit të mundësisë së futjes së një vepre të veçantë penale të sulmit ndaj personave të angazhuar në arsim përmes ndryshimeve në Kodin Penal.

“Ky është hapi i parë drejt kthimit të dinjitetit të profesionit të mësimdhënësit. Ne si shoqëri kërkojmë shumë prej tyre për një arsye, sepse e ardhmja jonë varet në masë të madhe nga puna e tyre, prandaj shpesh ua kujtojmë obligimet e tyre”, tha ministrja e Arsimit, Angjella Jakshiq-Stojanoviq.

Ajo thotë se Ministria e Arsimit do të bëjë gjithçka që procesi të jetë i dyanshëm dhe të drejtat e tyre të kthehen si temë qendrore.

“Po fillon procesi i kthimit të mësimdhënësit në statusin që dikur kishte në shoqëri”, thotë Jakshiq-Stojanoviq.

Në informacionin e miratuar nga Qeveria thuhet se arsimi është themeli i çdo shoqërie dhe se synimi është që në periudhën e ardhshme të ndërtohet një sistem arsimor modern, efikas dhe gjithëpërfshirës.

“Duke qenë se sipas hulumtimeve të disponueshme publikisht, çdo i katërti punonjës në arsim ka përjetuar një lloj dhune, qoftë verbale apo fizike, mendojmë se duhet të punohet në forcimin e pozitës së tyre në shoqëri, ndër të tjera, përmes ofrimit të mbrojtjes penale juridike gjatë kryerjes së punës edukative, gjegjësisht në lidhje me punën e mësimdhënësve”, thuhet në dokumentin e miratuar nga Qeveria.

SHARE