SPAJIQ: PAGAT DO TË JENË MESATARISHT 25% MË TË LARTA

Sipas standardeve të qytetarëve, Mali i Zi tashmë sillet sikur të jetë anëtar i BE-së, tha kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq, në seancën e Komisionit Parlamentar për Ekonomi, Financa dhe Buxhet.

Ai përsëriti se nga 1 tetori, pagat për rreth 300 mijë punëtorë do të jenë mesatarisht 25% më të larta, disa më pak e disa më shumë.

Komisioni zhvilloi një seancë kontrolli të kryeministrit dhe ministrit të Financave Novica Vukoviq në temën e programit „Evropa Tani 2“.

Opozita shprehu një sërë kundërshtimesh ndaj programit „Evropa Tani 2“.

Spajiq tha në seancë se programi përbëhet nga tre ndryshime më të rëndësishme, ndër të cilat e para është rritja e pagës minimale në 600 për qytetarët me arsim të mesëm dhe 800 për ata me arsim të lartë.

Ai tha se në Kroaci paga minimale është rreth 650 euro, në Çeki po ashtu, rreth 650 në Sllovaki, 601 euro në Letoni, 418 në Rumani, 404 në Serbi…

“Kjo na tregon për një hap të jashtëzakonshëm përpara në qytetërim që do ta bëjmë në tetor kur qytetarët tanë do të jenë në gjendje të jetojnë me dinjitet”, tha Spajiq.

Kur është fjala për inflacionin, ai deklaroi se Mali i Zi është diku në mes në Evropë. Duke ulur ngarkesën, siç thotë ai, do t’u mundësohet punëdhënësve të kenë kushtet më konkurruese në Evropë.

“Është një nga ngarkesat më të ulëta në Evropë dhe është konkurrues”, deklaroi kryeministri dhe shpjegoi qëllimet e programit.

“Ne duam punësim të plotë, paga të larta për punëtorët dhe kosto të ulëta për punëdhënësit dhe t’u mundësojmë atyre të jenë sa më konkurrues. Kjo është një nxitje për ekonominë dhe sipërmarrësit tanë që me guxim të hyjnë në investime dhe të punësojnë njerëz”, tha Spajiq.

Për tre vitet e ardhshme, siç bëri të ditur ai, buxheti aktual parashikohet të jetë suficit.

Ai përsëriti se paga mesatare në tetor do të jetë 1.000 euro, ndërsa punëtorët në të gjithë sektorët, shton ai, do të marrin paga më të larta.

Ai tha se do të arrijmë shumë më tepër kur të hyjmë në BE.

„Fillimisht do të arrijmë mesataren e BE-së, pastaj do të jemi mbi mesataren e BE-së dhe jam i bindur se për rreth 20 vjet, Mali i Zi do të jetë në top pesë vendet më të njohura evropiane”, përfundoi Spajiq.

SHARE