Ushtria amerikane po çmonton portin e përkohshëm që e ndërtoi për të ofruar ndihma për palestinezët në Rripin e Gazës.
Por zyrtarët thonë se ushtria do të vazhdojë të ndihmojë në transferimin e ndihmës për Gazën nga Qipro në portin izraelit të Ashdodit.
Ndryshimi vjen pasi izraelitët dhe banorët e Gazës vazhdojnë të presin për një marrëveshje armëpushimi që do të mund të lejonte transferimin e më shumë ndihmave humanitare në Rripin e Gazës.
Vetëm dy muaj pas dërgimit të ndihmave të para në brigjet e Rripit të Gazës përmes rrugëve detare, ushtria amerikane po çmonton portin e përkohshëm që e ndërtoi më shumë se dy muaj më parë për të rritur dërgesat e ndihmave.
“Ne e dinim që kushtet në det do të përkeqësoheshin me kalimin e verës. Kjo është diçka që dihej gjithmonë”, tha zëdhënësja e Departamentit të Mbrojtjes Sabrina Singh.
Ndërtimi i portit të përkohshëm kushtoi rreth 230 milionë dollarë dhe ai ishte funksional vetëm për rreth 20 ditë për shkak të detit të trazuar.
Por Pentagoni thotë se porti ofroi një lehtësim shumë të nevojshëm për banorët e Gazës, të cilët po përballeshin me një krizë të rëndë ushqimore dhe vonesa të mëdha të kalimit të kamionëve me ndihma në pikat kufitare tokësore.
“Ky port i përkohshëm ofroi vëllimin më të madh të ndihmës humanitare që ushtria amerikane ka transferuar në Lindjen e Mesme. Unë e di që ka pasur kritika, përfshirë nga disa njerëz këtu në këtë sallë dhe e di që ka pasur disa vështirësi me portin, por ne dërguam rreth 9 milionë kilogramë në ndihma humanitare”, tha zonja Singh.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu vjen në Uashington javën e ardhshme ndërsa udhëheqësit e opozitës izraelite kanë kritikuar menaxhimin e luftës nga ana e tij dhe kanë kërkuar që ai të bëjë më shumë për të negociuar lirimin e pengjeve izraelite nga Hamasi.
Lirimi i pengjeve pritet të jetë pjesë e një marrëveshjeje armëpushimi me faza që ende nuk është arritur.
“Dallimi kryesor mes palëve rreth propozimit për armëpushim është nëse Izraeli mund të vazhdojë luftimet në Gazë pas zbatimit të fazës së parë, që Netanyahu dëshiron ka ketë, por Hamasi e refuzon tërësisht. Kjo mosmarrëveshje është e pranishme që nga muaji shkurt dhe deri më sot nuk ka patur ndonjë ndryshim të rëndësishëm në këtë drejtim”, thotë Nimrod Goren nga Instituti i Lindjes së Mesme.
Zyrtarët kanë shpresuar se palët do të mund të arrinin një marrëveshje, që do të ulte edhe tensionet në rritje mes Izraelit dhe grupit militant të Hezbollahut në Liban, i cili mbështetet nga Irani.
Përndryshe, analistët kanë frikë se Izraeli mund të shohë një luftë të plotë edhe në kufirin e tij verior, duke e çuar rajonin në kaos të mëtejshëm.