Shefi i diplomacisë të Bashkimit Evropian, Josep Borrell, ka diskutuar në Bruksel me ministrin e Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, si dhe avancimit të rrugës së Beogradit drejt bllokut evropian.
Sa i përket dialogut që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, Borrell ka kërkuar angazhim në arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese mes palëve për normalizimin e raporteve.
“Përfaqësuesi i lartë Borrell ka ritheksuar se BE pret si nga Kosova ashtu edhe nga Serbia që të angazhohen në dialogun e lehtësuar nga BE-ja, me mirëbesim dhe në frymën e kompromisit, dhe të arrijnë pa vonesa marrëveshjen gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese për normalizimin e marrëveshjeve në përputhje me bazën ligjore të BE-së dhe të drejtës ndërkombëtare. Prioriteti më i lartë është të lëvizjet përpara me zbatimin e Marrëveshjes për rrugën drejt normalizimit të raporteve. Përfaqësuesi i lartë Borrell ka rikujtuar se rrugët respektive evropiane të Kosovës dhe Serbisë kalojnë përmes dialogut”, tha BE-ja përmes një njoftimi për media.
Gjatë takimit në Bruksel më 17 korrik me Gjuriqin, Borrell ka biseduar edhe për avancimin e rrugës drejt BE-së dhe rritjen e bashkëpunimit në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.
“Përfaqësuesi i lartë Borrell nënvizoi rëndësinë e përshtatjes së Serbisë me qëndrimet dhe vendimet e BE-së në politikën e jashtme dhe sigurisë, përfshirë edhe në kontekstin e luftës së agresionit të vazhdueshëm të Rusisë ndaj Ukrainës. Përfaqësuesi i lartë ka shprehur pritjet e fuqishme të BE-së që Serbia të rrisë përpjekjet e saja drejt përshtatjes së plotë të qëndrimeve, përfshirë edhe masat restriktive”, thuhet në komunikatën e BE-së.