POPA: MALI I ZI ËSHTË NË FAZËN FINALE TË NEGOCIATAVE ME BE-në

Ministri i Punëve të Jashtme, Filip Ivanoviq, priti sot në një vizitë lamtumirëse shefen e delegacionit të Bashkimit Evropian në Mal të Zi, ambasadoren Oana Kristina Popa, duke shprehur mirënjohjen për mbështetjen dhe kontributin në progresin e Malit të Zi në rrugën drejt anëtarësimit në BE, të cilën ambasadorja e dha gjatë mandatit të saj.

Ivanoviq vlerësoi se ka punuar me përkushtim të veçantë në realizimin e aktiviteteve të shumta që kanë për qëllim përshpejtimin e procesit tonë të anëtarësimit.

“Mali i Zi është mirënjohës për qasjen tuaj proaktive dhe bashkëpunimin e përgjithshëm të institucioneve të BE-së me administratën tonë shtetërore, me qëllim që të bëjmë një hap përpara në integrimin evropian. Ne ia dolëm mbanë me përpjekje dhe forcë të përbashkët”, tha ministri.

Ivanoviq tha se Mali i Zi mbetet plotësisht i përkushtuar në përmbushjen e qëllimit të tij kyç të politikës së jashtme – anëtarësimi në Union.

Ambasadorja Popa shprehu kënaqësinë për mandatin e saj në Mal të Zi, duke theksuar se është e kënaqur që gjatë misionit të saj diplomatik, Mali i Zi arriti sukses historik dhe hyri në fazën finale të negociatave me Bashkimin Evropian.

“IBAR pozitiv është kurora e përkushtimit, punës së palodhur dhe bashkëpunimit intensiv të Delegacionit të BE-së me administratën shtetërore. Më vjen mirë që Mali i Zi po përparon dhe pres me padurim të shoh suksese të reja dhe t’i bashkohem Unionit në vitet në vijim”, thuhet në njoftim.

Gjatë takimit u vlerësua se Mali i Zi është porta e procesit të negociatave në rajon dhe se është shumë e rëndësishme të vazhdohet me reformat me të njëjtin ritëm, për të arritur qëllimin dhe për t’u bërë anëtari i parë i ardhshëm i BE.

SHARE