RADOVIQ: MBYLLJA E MUNDSHME E KAPITULLIT 4 DERI NË FUND TË VITIT

Deri në fund të vitit ose në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, Mali i Zi mund të mbyllë kapitullin 4 të negociatave, i cili i referohet lirisë së lëvizjes së kapitalit. Kështu ka thënë për TVMZ guvernatorja e Bankës Qendrore të Malit të Zi, Irena Radoviq.

Ajo thekson se ky institucion koordinon tre kapituj në negociatat me BE-në, si dhe se dinamika që ekziston në administratën malazeze është një nga parakushtet më të rëndësishme për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Malit të Zi në BE.

„Mali i Zi mund të presë një vendim përfundimtar për anëtarësimin në mekanizmin SEPA në muajt në vijim,“ tha guvernatorja Radoviq.

Pas takimeve në Bruksel me zyrtarë, Radoviq theksoi se një nga temat kryesore ishte mbyllja e kapitujve nën juridiksionin e BQMZ dhe intensifikimi i aktiviteteve në kapitujt 4-Liria e Lëvizjes së Kapitalit, 9-Shërbimet financiare dhe 17-Ekonomia dhe Unioni Monetar.

“Dinamika që ekziston në administratën malazeze nga ana e rregullatorit, Qeverisë dhe vetë Parlamentit është një nga parakushtet kyçe për procesin e përshpejtimit të anëtarësimit të Malit të Zi në BE. Nga ana tjetër, aktivitetet e BQMZ janë shumë të rëndësishme për integrimin në hapësirën ekonomike evropiane”, tha Radoviq.

Ajo thekson se BQMZ koordinon tre kapituj në negociatat me BE-në dhe merr pjesë në nëntë.

“Kur flasim për kapitullin që ka të bëjë me lirinë e lëvizjes së kapitalit, Mali i Zi ka bërë shumë dhe besoj se në takimin e ardhshëm të natyrës teknike do të mund të biem dakord për një afat të saktë. Nuk është joreale të përjashtohet mundësia e mbylljes edhe deri në fund të vitit, apo në tremujorin e parë të vitit të ardhshëm”, tha Radoviq.

SHARE