Foto: predsjednik.me
Presidenti i Malit të Zi Jakov Millatoviq u takua në Bratislavë me kryeministrin sllovak Robert Fico, i cili konfirmoi mbështetjen e plotë të Sllovakisë për synimin e Malit të Zi që deri në vitin 2028 të bëhet anëtari i ardhshëm i Bashkimit Evropian.
Fico vlerësoi se Mali i Zi ka një mundësi historike për të përfunduar me sukses procesin e anëtarësimit, ndërsa Millatoviq theksoi se vendi është më afër anëtarësimit se kurrë më parë dhe se duhet të ruajë ritmin e reformave dhe të përfundojë negociatat.
Në takim u diskutua edhe për forcimin e bashkëpunimit ekonomik, investimet dhe projektet e përbashkëta.
Si fusha me potencial për bashkëpunim më të madh u veçuan energjia, infrastruktura e transportit, turizmi, bujqësia, sektori IT dhe digjitalizimi.
Palët vlerësuan gjithashtu rëndësinë e linjës direkte ajrore Podgoricë–Bratislavë dhe planin për hapjen e Ambasadës së Malit të Zi në Bratislavë, që pritet të kontribuojë në forcimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.










