PRETENDIMET PËR KRIME LUFTE / SERBIA NUK NDALET, ARRESTON NJË TJETËR SHQIPTAR

Policia serbe e ka arrestuar një person të dyshuar për kryerjen e “krimeve të luftës” në vitin 1999 në Kosovë, tha të mërkurën ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Ivica Daçiq.

Në një njoftim për media, Ministria serbe nuk tregoi as shtetësinë dhe as etninë e të arrestuarit, por e identifikoi atë me vetëm me inicialet F.K., 56 vjeç.

Megjithatë, akuzat e ngritura nga autoritetet serbe sugjerojnë se ai është shqiptar.

Serbia pretendon se 56-vjeçari ka kryer “krime lufte kundër pjesëtarëve të ushtrisë Jugosllave në Kosharë në maj të vitit 1999”.

Njoftimi nuk sqaron kohën e arrestimit. Beteja e Koshares u zhvillua në komunën e Gjakovës gjatë luftës në vitin 1999, ndërmjet Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ushtrisë së Serbisë. Beteja zgjati disa javë në pranverën e atij viti dhe shihet si ndër betejat më heroike të luftës për çlirim, pasi rrëzoi kufirin shqiptaro-shqiptar.

Autoritetet kosovare e kanë cilësuar si arbitrare dhe të padrejta arrestimin në Serbi të qytetarëve kosovarë për akuzat për krime lufte dhe e kanë kërkuar ndihmën e faktorit ndërkombëtar për lirimin e tyre.

SHARE