Kryesuesja e deritanishme e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Dominique Hasler, tha se ky komitet po shqyrton se si të procedojë për pranimin e Kosovës në këtë organizatë.
Hasler, që është ministre e Jashtme e Lihtenshtajnit, shteti i cili ka pasur udhëheqjen e presidencës së KiE-së, tha pas mbledhjes së Komitetit të Ministrave më 17 maj se Kosova është përmendur në mbledhje nga shtetet anëtare.
“Pranimi i Kosovës u përmend disa herë sot në kuadër të deklaratave kombëtare të ministrave. Ne kemi pranuar letër nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me rekomandimin për pranimin e Kosovës dhe ne bëmë gjithçka brenda presidencës sonë për të avancuar procesin, së bashku me shtetet anëtare. Dhe Komiteti i Ministrave veçse ka nisur diskutimet për çështjen dhe aktualisht po shqyrton se si të procedojë”, tha ajo.
Në agjendën e takimit të Komitetit të Ministrave, sipas ueb-faqes zyrtare të KiE-së, nuk u përfshi votimi për pranimin e Kosovës në këtë organizatë për të drejtat e njeriut.
Kosova veçse ka kaluar dy faza në procesin e pranimit në këtë organizatë, dhe Komiteti i Ministrave është ai që vendos nëse një shtet do të pranohet ose jo në Këshillin e Evropës.
Pas kalimit të rekomandimit për pranimin e Kosovës në Asamblenë Parlamentare të KiE-së, disa shtete vendosën kusht që Kosova të themelojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg.