Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka thënë të premten se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) është “çështje kohe”, pasi kërkesa e saj për t’iu bashkuar kësaj organizate të rëndësishme për të drejtat e njeriut nuk u mor parasysh nga Komiteti i Ministrave i KiE-së.
“Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës. Është vetëm çështje kohe. Në këtë rrugë, ne nuk bëjmë kompromis me vlerat të cilat formojnë themelet e vendit tonë”, shkroi Osmani në rrjetin social X.
Osmani i bëri këto komente pak orë pasi Komiteti i Ministrave i KiE-së nuk e hodhi në votim kërkesën e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë gjatë një takimi të premten në mëngjes.
Kosova i kishte kaluar tashmë dy faza në procesin e pranimit në KiE, dhe shpresonte që Komiteti i Ministrave – i cili vendos për ta pranuar ose jo një vend – do të votonte të premten për kërkesën e Kosovës.
Por, edhe pse Asambleja Parlamentare e KiE-së dha dritën jeshile që Kosova të pranohej, disa shtete vendosën kusht që Kosova të bëjë hapa konkretë drejt themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, nëse dëshiron të bëhet anëtare e organizatës me seli në Strasburg.
Osmani tha se Kosova është “mirënjohëse ndaj të gjitha vendeve që na kanë mbështetur deri tani. Së bashku, ne do të punojmë për ta bërë realitet këtë triumf të të drejtave të njeriut pa humbur kohë”.
“Kur të mbërrijmë atje, ne do të vazhdojmë të ngremë zërin për shtylla të cilat e definojnë KiE-në: të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit. Ne nuk do të shërbejmë si dora e shtrirë e Rusisë, e as si shembull i sjelljes autokratike”, shtoi ajo.