ZËVENDËSKRYEMINISTRI I MALIT TË ZI, NIK GJELOSHAJ, VIZITË ZYRTARE NË KOSOVË

Zëvendëskryeministri për Politikë Ekonomike, Nik Gjeloshaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës më 15 dhe 16 maj 2024.

Gjatë vizitës së tij të punës në Prishtinë, ka takuar kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca.

Duke e falënderuar zëvendëskryeministrin Gjeloshaj për vizitën në Kosovë, kryetari Konjufca vlerësoi lart marrëdhëniet midis Kosovës dhe Malit të Zi, si dy shtete me raporte të mira bashkëpunimi. 

Kryetari Konjufca vlerësoi mbështetjen e Malit të Zi ndaj Republikës së Kosovës, duke e konsideruar këtë si tregues të vullnetit dhe gatishmërisë për thellimin e këtyre raporteve.

Kreu i Kuvendit vuri në pah se Republika e Kosovës i bashkëndan dhe i qëndron përkrah synimeve zhvillimore dhe atyre të integrimit evropian të Malit të Zi.

Sipas tij, ky qëndrim forcohet edhe më shumë prej faktit të nevojës së përparimit të rajonit tonë dhe dëshirës për t’i parë gjithnjë e më mirë bashkëkombasit tanë shqiptarë të Malit të Zi.

Teksa biseduan për zhvillimet politike në Kosovë dhe Mal të Zi, kryetari Konjufca tha që me z. Gjeloshaj u pajtuan se zhvillimi dhe siguria e shteteve tona, si dhe e rajonit kërkon angazhim të pandërprerë në mbrojtje të sovranitetit, shtetit të së drejtës dhe demokracisë, kërkon qëndrim të palëkundur kundër agjendës dhe influencës ruse në rajon.

„Mali i Zi mbetet i përkushtuar në rrugën dhe vlerat euroatlantike dhe si i tillë është partner dhe mik i Republikës së Kosovës. Vendet tona ndajnë aspiratën për të ndërtuar një të ardhme të përbashkët me zhvillim të ndërsjellë politik, ekonomik dhe kulturor,“ tha Gjeloshaj.

Zëvendëskryeministri Gjeloshaj e falënderoi kryetarin Konjufca për pritjen, duke shprehur gatishmërinë e bashkëpunimit të mëtejmë për të avancuar interesat e përbashkëta.

Zëvendëkryeministri Gjeloshaj është takuar edhe me zëvendëskryeministren, njëherësh ministre e Punëve të Jashtme dhe Diasporës në Qeverinë e Republikës së Kosovës, znj. Donika Gërvalla-Schwarz.

Gjeloshaj i konfirmoi zëvendëskryeministres Gërvalla-Schwarz mbështetjen e Malit të Zi në proceset e integrimeve europiane.

„Do vazhdojmë të bashkëpunojmë në të gjitha nivelet për perspektivën tonë të përbashkët europiane. E ardhmja e rajonit është në Bashkimin Europian,“ theksoi Gjeloshaj.

Gjeloshaj gjatë vizitës së tij në Kosovë përveç takimeve me zyrtarë të lartë shtetërorë të Republikës së Kosovës, do të marrë pjesë edhe në hapjen e ekspozitës „Retrospektiva e Gjelosh Gjokaj“, e cila organizohet me rastin e 18 vjetorit të Pavarësisë së Malit të Zi.

SHARE