ANËTARËSIMI I KOSOVËS NË KiE NUK PËRFSHIHET NË AGJENDËN E KOMITETIT TË MINISTRAVE

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës nuk është përfshirë në agjendën e Komitetit të Ministrave të kësaj organizate, që do të mblidhet këtë javë.

Kështu ka thënë zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës i Kosovës, Kreshnik Ahmeti, përmes një postimi në Facebook.

Ahmeti ka thënë se pavarësisht mbështetjes që gëzon Kosova për anëtarësim në Këshillin e Evropës – organizatën lidere në fushën e të drejtave të njeriut – janë disa vende që kërkojnë prej Kosovës të pranojë “draft statutin e [të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi] Miroslav Lajçakut për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe ta dërgojë atë në Gjykatë Kushtetuese, në një mënyrë që është e pranueshme për Gjykatën”.

“Ka gjasë që ky votim të shtyhet. Shtyrja eventuale vjen si rezultat i ngatërrimit të dy proceseve të pavarura, me ç’rast Këshilli i Evropës po shfrytëzohet si levë presioni mbi Kosovën për ta pranuar draft statutin e Lajçakut dhe për ta dërguar atë në Kushtetuese, në shpërputhje gjithashtu edhe me procesin e dialogut në Bruksel”, ka thënë mes tjerash Ahmeti.

Sipas tij, kërkesa për Asociacionin nuk të bëjë aspak me vlerat dhe parimet e Këshillit të Evropës dhe me Kartën Evropiane për Vetëqeverisje Lokale.

“Shtyrja eventuale do të kufizojë mundësitë e qytetarëve, përfshirë minoritetin serb, të përdorin mekanizmat e Këshillit të Evropës, përfshirë Gjykatën e Strasburgut për t’i adresuar të drejtat e tyre. Për më tepër, shtyrja do ta dërgojë një sinjal shumë shqetësues për vendet e rajonit”, ka vlerësuar Ahmeti.

Më 16 prill, Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës e ka mbështetur raportin që rekomandon anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë me seli në Strasburg.

SHARE