Ambasadat e Shteteve të QUINT-it dhe Bashkimi Evropian kanë kritikuar Kosovën për refuzimin e kërkesës për vizitë të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, patriarkut Porfirije, dhe të disa priftërinjve të tjerë.
Përmes një deklarate të përbashkët, ambasadat e shteteve të QUINT-t shprehën shqetësim për refuzimin e vizitës së Porfirijes.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës është në kundërshtim me nenet e Planit të Ahtisaarit, ku përcaktohen qartë të drejtat, privilegjet dhe imuniteti për klerin e Kishës Ortodokse Serbe”, thuhet në reagim.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës më 13 maj arsyetoi vendimin për refuzimin e kërkesës për qëndrim në Kosovë të patriarkut serb.
Ministria tha se vizita të tilla nuk do të lejohen derisa “Serbia vazhdon të shkelë marrëveshjen e Brukselit, të mos lejojë vizitat e zyrtarëve të Kosovës në Serbi dhe për sa kohë vazhdon me fushata kundër në arenën ndërkombëtare, si në proceset integruese ashtu edhe ato të njohjes”.
Zëdhënësi i BE, Peter Stano reagoi përmes një deklarate se është Kosova që ka shkelur Marrëveshjen për vizita zyrtare, të arritur në dialogun për normalizimin e raporteve.
“Duke ia refuzuar hyrjen atij, Qeveria e Kosovës jo vetëm që e ka shkelur Marrëveshjen e vitit 2014 për vizita zyrtare, por në mënyrë të ashpër e ka injoruar edhe rëndësinë që ka Kisha Ortodokse Serbe për një pjesë të qytetarëve të Kosovës dhe kjo shkon kundër parimeve themelore të një shoqërie shumetnike, tolerante dhe demokratike”, tha Stano.
QUINT-i u bëri thirrje palës serbe dhe të Kosovës, që të përmbahen nga çdo veprim dhe retorikë që mund të rrisë tensionet dhe mund të çojë në incidente.