Ushtria izraelite paralajmëron nisjen e sulmit tokësor në Rafah, nëse Hamasi nuk pranon brenda pak ditëve marrëveshjen e armëpushimit. Përmes rrjetit X, radioja e ushtrisë izraelite njoftoi se vendimi për nisjen e sulmit mund të merret brenda 72 orëve nëse nuk ka një përgjigje pozitive nga Hamasi. Ndërsa kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu shkoi edhe më tej kur tha se sulmi në Rafah do të ndërmerret për të asgjësuar Hamasin, me apo pa armëpushim.
Izraeli i ka propozuar Hamasit armëpushim 40 ditor dhe lirim të qindra të burgosurve palestinezë në këmbim të rreth 130 pengjeve të mbetur ende në duart e Hamasit. Përfaqësuesit e grupit që qeverisë Rripin e Gazës thanë se janë duke e shqyrtuar propozimin dhe se shumë shpejt pritet të japin një përgjigje përfundimtare.
Burime nga Kajro ku zhvillohen bisedimet mes përfaqësuesve të dy palëve thanë se Hamasi kërkon tërheqjen e trupave izraelite nga i gjithë Rripi i Gazës, një pikë që mban peng këtë marrëveshje. Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken tha nga Riadi se kishte shumë shpresë se armëpushimi do të arrihej.
Ndërsa shefi i diplomacisë europiane Josep Borrell paralajmëroi se në Maj, disa vende europiane do të njohin shtetin palestinez.