Shtetet e Bashkuara kanë parë “përparim të dukshëm” në situatën humanitare në Gazë gjatë javëve të fundit, ka thënë sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, por i kërkoi Izraelit të bëjë më shumë.
Duke folur në Riad të Arabisë Saudite, Blinken tha se mënyra më efikase për të lehtësuar krizën humanitare në Gazë do të ishte arritja e një armëpushimi.
Ai gjithashtu tha se Uashingtoni vazhdon përpjekjet për të parandaluar zgjerimin e luftës në Gazë.
Blinken, mbërriti në Arabinë Saudite të hënën, në ndalesën e parë të një udhëtimi më të gjerë në Lindjen e Mesme për të diskutuar disa çështje, përfshirë qeverisjen e Gazës pasi të përfundojë lufta me Izraelin.
Diplomati i lartë amerikan do të shkojë në Izrael në fund të kësaj jave, ku ai pritet të bëjë presion ndaj kryeministrit izraelit, Benjamin Netanyahu, për të ndërmarrë hapat konkret që presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden kërkoi këtë muaj për të përmirësuar situatën e rëndë humanitare në Gazë.