SPAJIQ: HAKMARRJA MË E MIRË JANË REZULTATET NË INFRASTRUKTURË

Kryeministri i Malit të Zi Millojko Spajiq tha se Bashkimi Evropian sheh përparimin e Malit të Zi në fushën e sundimit të ligjit.

Spajiq nuk e komentoi në detaje deklaratën e djeshme të ish-presidentit të vendit, Millo Gjukanoviq, i cili vlerësoi se revanshizmi politik është në skenë në Mal të Zi si faqe e re në traditën e hakmarrjeve malazeze.

“Hakmarrja më e mirë janë rezultatet në infrastrukturë dhe dua që të gjithë të hakmerremi për keqmenaxhimin e vendit në të kaluarën, në mënyrë që ta udhëheqim më mirë vendin dhe ta ngremë infrastrukturën në një nivel të paimagjinueshëm. Sipas mendimit tim, kjo është hakmarrja më e mirë dhe për ta mbyllur atë cikël të hakmarrjes, shpresoj përgjithmonë në Mal të Zi”, tha Spajiq, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve në konferencën për shtyp.

Spajiq nuk ka dashur t’i përgjigjet pyetjes nëse Qeveria e Malit të Zi do të bashkësponsorizojë Rezolutën e Kombeve të Bashkuara (OKB) për gjenocidin në Srebrenicë.

“Ne do të bashkësponsorizojmë infrastrukturën në Mal të Zi dhe mendoj se këtë vit kemi 240 milionë euro buxhet kapital që do të shkojnë për ato gjëra. I kuptoj të gjitha pyetjet e këtij lloji, por nuk dua t’u përgjigjem sot atyre pyetjeve, sepse ky është një moment jetik për shtetin e Malit të Zi”, tha Spajiq.

Kryeministri bëri të ditur gjithashtu se të gjithë duhet të mendojmë për hartën e zhvillimit të infrastrukturës, të cilën e prezantoi sot.

“Do të informojmë publikun në kohë për të gjitha çështjet që nuk kanë të bëjnë me infrastrukturën”, tha kryeministri.

Ai thekson se Mali i Zi ka qëndrimin e tij për këtë, i cili është bërë i ditur disa herë.

„Sot nuk është temë, kjo sot është temë që ka të bëjë me të ardhmen”, tha Spajiq.

Ai deklaroi se BE sheh një ndryshim të madh në sundimin e ligjit në Mal të Zi.

“Këto janë vlerat e BE-së, respektimi 100 për qind me politikën e jashtme të sigurisë dhe mbrojtjes dhe sundimin e ligjit”, tha Spajiq me mesazhin se synimi është që Mali i Zi të anëtarësohet sa më shpejt në BE.

SHARE