SLLOVENIA PRET QË MALI I ZI TË BËHET ANËTAR I BE-së NË VITIN 2028

Sllovenia pret që Mali i Zi të bëhet anëtar i Bashkimit Evropian deri në vitin 2028, tha presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc Musar në një konferencë për shtyp.

Ajo u prit në rezidencën e Cetinës nga presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq.

Pirc Musar tha se pret që Mali i Zi t’i plotësojë të gjitha kushtet deri në vitin 2028.

“Mendoj se është e drejtë që ne kemi synime të tilla. Mund të dëgjojmë përfaqësues të BE-së se synimi është viti 2030 dhe 2028 nëse Mali i Zi përmbush kushtet. Unë dhe qytetarët e mi do të jemi të lumtur nëse kjo ndodh”, tha ajo.

Millatoviq tha se ne e perceptojmë Slloveninë si një mik të sinqertë.

“Sllovenia ishte, është dhe do të vazhdojë të jetë mbështetësi më i madh për anëtarësimin e Malit të Zi në BE dhe Mali i Zi mbetet i përkushtuar ndaj marrëdhënieve të mira fqinjësore dhe afirmimit të vlerave evropiane në Ballkan”, tha ai.

Ai tha se në këtë moment mbështetja e vendeve mike është shumë e rëndësishme për vendin tonë.

“Sllovenia nuk është vetëm një nga partnerët më të mëdhenj, por një vend që ne duhet ta imitojmë. Kur më pyetën se si e shoh Malin e Zi në pesë vjet, e shoh si Slloveninë”, ka theksuar Millatoviq.

“Mali i Zi e mbështeti Slloveninë drejt anëtarësimit të saj aktual si një anëtar jo i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kështu që presim mbështetjen sllovene për kandidaturën tonë për periudhën 2026-2027”, tha Millatoviq.

Ai vuri në dukje se të enjten do të hapet Forumi i Biznesit Slloveno-Malazez.

Presidentja e Sllovenisë Natasha Pirc Musar tha se Mali i Zi gjithmonë do të ketë një mik të sinqertë në Slloveni.

Ajo theksoi se është e kënaqur me aspiratën e Malit të Zi për anëtarësim sa më shpejt në BE.

“Në marrëdhëniet aktuale të paqëndrueshme në botë, nuk duhet të harrojmë Ballkanin Perëndimor. Nëse Ballkani Perëndimor është i qëndrueshëm, do të jetë edhe Evropa”, tha ajo.

Ajo theksoi se është e kënaqur që Mali i Zi ka hapur të gjithë, përveç dy kapitujve dhe se mund të shërbejë si shembull në rajon. Ajo theksoi se ndihet edhe dashuria e BE-së ndaj Malit të Zi.

SHARE