OSMANI BISEDON ME O’BRIEN PËR ANËTARËSIM NË KIE DHE DIALOGUN ME SERBINË

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ndihmëssekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, James O’Brien, biseduan më 1 prill për rregulloret monetare në Kosovë dhe për zbatimin e marrëveshjeve të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në dialogun e Brukselit.

O’Brien shkroi në rrjetin social X se “ne biseduam për rëndësinë e zbatimit të rregulloreve monetare, në mënyrë që ato të jenë në dobi të të gjithë qytetarëve kosovarë, përfshirë të komunitetit pakicë serb”.

Banka Qendrore e Kosovës e vendosi më 1 shkurt një rregullore të re duke e përcaktuar euron si valutën e vetme zyrtare në vend, duke e ndaluar kështu përdorimin e dinarit serb.

Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kosovës që ta pezullojë rregulloren, për t’iu dhënë kohë qytetarëve të prekur që të përshtaten me praktikën e re.

Paraprakisht, duke e quajtur këtë telefonatë produktive, Osmani tha se kanë diskutuar hapat e Kosovës drejt anëtarësimit në Këshillin e Evropës, ku Kosova ka aplikuar në vitin 2022.

Në një postim në X ajo gjithashtu bëri të ditur se kanë biseduar në lidhje me zbatimin e Marrëveshjes së Brukselit në mes Kosovës dhe Serbisë.

“Theksova rëndësinë themelore të punës së bashku me aleatët tanë të SHBA-së në mbrojtjen e lirisë, pavarësisë dhe demokracisë sonë”, shkroi Osmani.

Komiteti për Politikë dhe Demokraci i Këshillit të Evropës, më 27 mars ka miratuar raportin e raportueses për Kosovën, Dora Bakoyannis, ku rekomandohet që shteti ka përmbushur kushtet për t’u bërë anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.

Hapi i radhës, sipas këtij komiteti, do të jetë më 18 prill, kur do të hidhet në votim ky raport para Asamblesë Parlamentare në përbërjen e saj të plotë.

Anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës do të ishte katalizator që “Kosova të vazhdonte të bënte përparim në forcimin e të drejtave të njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit si dhe të adresojë sfidat dhe çështjet shqetësuese”, tha Komiteti për Politikë dhe Demokraci.

SHARE