KOSOVA DHE MALI I ZI NËNSHKRUAJNË MARRËVESHJEN E PROGRAMIT NDËRKUFITAR IPA III

Në Qeverinë e Kosovës është nënshkruar marrëveshja dypalëshe ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi për Programin e Bashkëpunimin Ndërkufitar IPA III për vitet 2021-2027.

Marrëveshja u nënshkrua nga Zëvendëskryeministri i Parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog i Republikës së Kosovës, Besnik Bislimi, dhe ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviç.

Pas nënshkrimit, zëvendëskryeministri Bislimi tha se ky bashkëpunim do të avancohet dukshëm duke u kujdesur për zbatim të plotë të marrëveshjes dypalëshe Kosovë-Mali i Zi për Programin e Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA III.

“Marrëveshja i mundëson Kosovës dhe Malit të Zi të përfitojnë përkrahje nga Bashkimi Evropian për bashkëpunim ndërkufitare në një shumë prej 8,4 milionë euro. Qëllimi i këtij programi është promovimi i fqinjësisë së mirë, nxitja e integrimit drejt BE-së, si dhe zhvillimi social e ekonomik i zonës kufitare”, theksoi Bislimi.

Tutje Bislimi tha se në zbatim të suksesshëm dhe të përbashkët të këtij programi, është planifikuar themelimi i një task-force të përbashkët me zyre kryesore në Podgoricë dhe një zyre antenë në Kosovë, e cila do të mbikëqyrë menaxhimin e përditshëm të programit.

Ministrja për Çështje Evropiane të Malit të Zi, Maida Gorçeviç, tha se ka pasur rastin të shënojë me sukses përfundimin e Programit të Bashkëpunimit Ndërkufitar IPA ll, Mali i Zi-Kosovë, 2014-2022, me Ministrinë e Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës.

Gorçeviç tha se në programin e kaluar ndërkufitar janë financuar projekte në vlerë mbi 10 milionë euro, ndërsa marrëveshja e nënshkruar sot me mbështetjen financiare të BE-së, parashikon 8,4 milionë euro deri në vitin 2027.

Siç tha ajo, këto do të jenë projekte për nxitjen e punësimit dhe për përmirësimin e turizmit të qëndrueshëm.

“Bashkëpunimi ndërkufitar mes vendeve tona ka rreth 12 vjet që vazhdon dhe ne mund të krenohemi me 33 projekte të realizuara, sapo u pajtuam që nuk do të ndalemi me kaq, do të gjejmë edhe modalitete të tjera që mund të përmirësojnë bashkëpunimin, dhe në mënyrë që të kontribuojmë në cilësinë e jetës së qytetarëve në zonën kufitare dhe të lidhim komunat, institucionet dhe organizatat tona”, theksoi Gorçeviç.

Ajo po ashtu tha se me Bislimin ka biseduar për mbështetjen e Malit të Zi për Kosovën në pozicionimin e saj në kornizën ndërkombëtare dhe në kuadër të integrimeve evropiane.

SHARE