ESCOBAR KËTË JAVË NË PODGORICË

I dërguari special i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, do të vizitojë Malin e Zi këtë javë, njoftoi Departamenti i Shtetit.

Gjatë vizitës së tij në Podgoricë, Escobar pritet të “theksojë mbështetjen që Shtetet e Bashkuara i japin Malit të Zi demokratik me rrënjë në komunitetin euro-atlantik”.

Në Mal të Zi ai do të takohet me përfaqësues të qeverisë dhe shoqërisë civile, si dhe me drejtues biznesi.

Sipas Departamentit të Shtetit, vizita e Escobar do të “konfirmojë angazhimin ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor në rrugën e integrimit euroatlantik dhe bashkëpunimit më të thellë rajonal”.

Në njoftim thuhet se Escobar do të vizitojë edhe Prishtinën, ku do të zhvillojë takime për ndikimin e rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës lidhur me transaksionet me para të gatshme, dhe pritet të bëjë thirrje për veprime për të siguruar që nevojat e popullatës në Kosovë të përmbushen plotësisht.

Escobar do të takohet me përfaqësuesit e autoriteteve në Prishtinë, shoqërinë civile dhe serbët lokalë dhe pritet të theksojë mbështetjen e Shteteve të Bashkuara për dialogun për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Escobar do të vizitojë Belgjikën dhe Austrinë deri të hënën, më 18 mars.

Në Belgjikë, ai do të takohet me përfaqësuesin special të Bashkimit Evropian për dialogun ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, Mirosllav Lajçak dhe zyrtarë të tjerë të Bashkimit dhe NATO-s, me qëllim që të diskutohen përpjekjet në fushën e zbatimit të reformave që do të sjellin paqe, stabilitet dhe përparim në rajon.

Gjatë vizitës së tij në Austri, Escobar do të takohet me përfaqësues të Zyrës së OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR), me të cilët do të diskutojë për zgjedhjet në Serbi dhe Maqedoninë e Veriut.

SHARE