Bix Aliu, i emëruari për postin e ambasadorit të ardhshëm amerikan në Malin e Zi, tha të martën para Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë se nëse konfirmohet, do të punojë për përshpejtimin e procesit të integrimit të Malit të Zi dhe forcimin e luftës kundër ndikimeve të huaja keqdashëse.
Aliu tha se ai do të ishte shqiptaro-amerikani i parë në histori që do të shërbejë si ambasador i Shteteve të Bashkuara, nëse Senati e miraton emërimin e tij.
Ai tha se zgjedhjet e vitit 2023 i krijuan Malit të Zi një mundësi historike për të përshpejtuar rrugëtimin drejt integrimit në Bashkimin Evropian, por “duhet të jemi të qartë edhe për rreziqet që përfaqëson koalicioni qeverisës dhe të mbetemi të angazhuar, me zgjidhje praktike, për të ndihmuar Malin e Zi të zërë vendin e merituar në BE”.
Duke radhitur përparësitë e punës së tij nëse konfirmohet, zoti Aliu tha se “lufta brutale e Rusisë në Ukrainë nënvizon urgjencën që Mali i Zi të përshpejtojë reformat thelbësore për anëtarësimin në BE, zhvillimin demokratik, qëndrueshmërinë dhe përparimin”.
Ai tha se do të ndihmojë një përpjekje ndërinstitucionale “për të promovuar sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit të rrënjosur dhe për respektimin e të drejtave të njeriut, që do të ofrojë rezultate të prekshme për qytetarët e Malit të Zi, të gjitha në përputhje me objektivat e sigurisë kombëtare të Shteteve të Bashkuara”.
Zoti Aliu tha se ndër përparësitë e tij do të jetë thellimi i lidhjeve ndërmjet NATO-s dhe Malit të Zi, i cili u bë vend anëtar i aleancës shtatë vjet më parë.
Përparësi tjetër tha ai, është forcimi i rezistencës së Malit të Zi ndaj aktorëve keqdashës që duan të dëmtojnë demokracinë dhe institucionet e tij.
“Nëse konfirmohem, do të punoj me partnerët ndërinstitucionalë dhe Bashkimin Evropian për të luftuar dezinformimin, për të mbështetur shoqërinë civile dhe për të përforcuar mesazhet amerikane për vlerat transatlantike”, tha zoti Aliu, duke theksuar se përparësi tjetër do të jetë mbështetja për përparimin ekonomik të Malit të Zi nëpërmjet dialogut të ripërtërirë ekonomik amerikano-malazez për të forcuar mjedisin e investimeve.
“Është thelbësore që Shtetet e Bashkuara dhe BE-ja ndihmojnë për të siguruar alternativa të qëndrueshme ndaj investimeve nga Kina, posaçërisht në infrastrukturën thelbësore”, tha zoti Aliu, duke theksuar se Mali i Zi është në udhëkryq.
“Vendi ka nevojë për institucione efikase demokratike të çimentuara në kuadrin euroatlantik dhe të përkushtuara ndaj mirëqenies së të gjithë qytetarëve të tij”, tha zoti Aliu duke theksuar se Shtetet e Bashkuara janë një aleat i Malit të Zi në ndërtimin e një të nesërme më të mirë si pjesë e NATO-s dhe BE-së.
Kush është Bix Aliu
Zoti Aliu është diplomat karriere në Shërbimin e Jashtëm amerikan. Para se të fillonte shërbimin si i Ngarkuar me Punë, në ambasadën amerikane në Budapest, si shërbeu su zëvendësshef i Misionit amerikan në Poloni. Më parë, ai ishte Konsull i Përgjithshëm amerikan në Krakov, ndërsa më herët kishte shërbyer zëvendësshef i ambasadës amerikane, në Podgoricë.
Mes detyrave të tjera, zoti Aliu kishte kryer detyrën e zyrtarit për marrëdhënie me publikun në ambasadën amerikane në Tiranë.