KUVENDI I MALIT TË ZI KONFIRMOI MARRËVESHJET PËR NDËRTIMIN E URAVE NDËRSHTETËRORE NË TARA DHE BUNË

Kuvendi i Malit të Zi konfirmoi sot marrëveshjet e Qeverisë së Malit të Zi me Bosnje-Hercegovinën (BeH) dhe Shqipërinë për ndërtimin e urave ndërshtetërore në Tara dhe Bunë, falë të cilave do të mundësohet një lidhje më e mirë mes Malit të Zi dhe këtyre dy vendeve.

Në seancë, me 52 vota, deputetët miratuan Projektligjin për konfirmimin e marrëveshjes ndërmjet Qeverisë së Malit të Zi dhe Këshillit të Ministrave të Bosnjë-Hercegovinës për ndërtimin e urës ndërshtetërore mbi Tarën dhe lidhjen e seksioneve kufitare.

Projektligji për konfirmimin e Marrëveshjes mes Qeverisë dhe Këshillit të Ministrave të Shqipërisë për ndërtimin e urës ndërshtetërore mbi Bunë është mbështetur nga 46 deputetë.

Kuvendi, me votat e 52 deputetëve, miratoi edhe Projektligjin për Ratifikimin e Konventës Ndërkombëtare të Nairobit për heqjen e rrënojave nga viti 2007.

Gjatë votimit të këtyre tre projektligjeve nuk pati asnjë votë kundër apo abstenim.

Ministri i Transportit dhe Punëve Detare, Filip Radulloviq, tha se ndërtimi i urës mbi Tarën dhe seksioneve kufitare lidhëse do të financohet nga Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina nga 50 për qind.

Duke folur për ndërtimin e urës ndërshtetërore me Shqipërinë nëpërmjet Bunës, ai tha se të dyja vendet përballojnë 50 për qind të kostove për realizimin e atij projekti.

“Ndërtimi i këtyre urave dhe rrugëve hyrëse do të përmirësojë këtë pjesë të Malit të Zi, do të rrisë sigurinë në trafik dhe do të mundësojë lidhje më të mirë mes këtyre vendeve”, tha Radulloviq.

SHARE