Në Shqipëri u inaugurua Baza Ajrore Taktike e NATO-s në Kuçovë të Qarkut të Beratit, që sipas autoriteteve shqiptare i jep Shqipërisë një rëndësi të re gjeostrategjike, ndërkohë në ceremoni ishin të pranishëm zyrtarë të lartë nga disa vende.
Në fjalën e tij presidenti Begaj u shpreh se kjo bazë është rezultat i bashkëpunimit, solidaritetit, bashkërendimit dhe koordinimit midis aleatëve dhe i vëmendjes që Shqipëria i kushton sigurisë dhe mbrojtjes.
“Nga kjo bazë, ne së bashku dërgojmë mesazhin e fuqishëm të paqes dhe dëshmojmë se NATO është e vendosur të mbrojë lirinë dhe sigurinë e aleatëve, duke garantuar mbrojtje kolektive”, u shpreh Begaj.
Begaj theksoi se detyrimet që rrjedhin nga anëtarësimi në NATO dhe nga procesi i anëtarësimit në BE janë natyrshëm edhe interesat strategjike të Shqipërisë.
Kryeparlamentarja Nikolla në fjalën e saj, duke iu referuar Shqipërisë, tha se vështirë të gjendet një vend anëtar i Aleancës i cili vetëm pas një dekadë e gjysmë anëtarësimi në Aleancë, të jetë bërë një partneri denjë, i sinqertë dhe kontribuues efektiv për mbrojtjen e paqes dhe sigurisë.
“Kuçova do të shërbejë si baza kryesore për forcat tona ajrore”
Kryeministri Rama u shpreh se baza është një tjetër element sigurie për rajonin e Ballkanit Perëndimor i cili tha ai e “dimë mirë se është një rajon jo i pa rrezikuar nga kërcënimi dhe ambiciet neo-imperialiste të Federatës Ruse”.
Rama theksoi se riaktivizimi i këtij aeroporti ushtarak është njëkohësisht edhe pjesë e ripërtëritjes dhe rritjes së mëtejshme cilësore të flotës ajrore. “Dy helikopterët e rinj Black Hawk si dhe dronët Bayraktar janë pjesë e një rritjeje që do të vazhdojë”, tha Rama.
“Dua t’i shpreh një falënderim të posaçëm të gjithë atyre që kontribuuan duke filluar, sigurisht nga aleatët tanë të NATO-s me shpresën dhe besimin që kjo bazë e re taktike ajrore e NATO-s do të shoqërohet në vitet në vijim nga baza e re detare e NATO-s në Porto Romano (Durrës), gjë për të cilën po punojmë ngushtësisht me NATO-n dhe jemi shumë besimplotë se së shpejti do të mund t’i gëzohemi lajmit të përfshirjes së këtij projekti në planet e Aleancës”, u shpreh Rama.
Ministri Peleshi u shpreh se baza përbën një prej investimeve më madhore të NATO-s në Shqipëri dhe sipas tij do të shërbejë si një bazë ajrore taktike dhe operacionale.
“Kuçova do të shërbejë si baza kryesore për forcat tona ajrore për të cilën vëmendja dhe investimi nuk do të reshtin deri në krijimin e një flote dinjitoze në shërbim të mbrojtjes së popullit tonë dhe aleatëve tanë. Helikopterët Black Hawk të siguruar me mbështetjen e partnerit tonë special strategjik SHBA-së si dhe dronët Bayraktar në bashkëpunim me Republikën e Türkiyes janë aktualisht në gatishmëri të plotë për të nisur fluturimin nga kjo bazë. Numri i tyre do të shtohet ndjeshëm në një të ardhme të afërm”, tha Peleshi.