Mali i Zi do të marrë mbështetje eksperte nga Gjermania për të forcuar sistemin në fushën e edukimit policor, i cili duhet të çojë në përmirësimin e sektorit të sigurisë, u njoftua në takimin e kryeministrit Millojko Spajiq me anëtarë të Policisë Kriminale Federale dhe Ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Felten.
Në një takim me pjesëtarët e Policisë Kriminale Federale dhe ambasadorin e Republikës Federale të Gjermanisë, Peter Felten, ai shprehu përkushtimin e plotë të Qeverisë së 44-të për të punuar veçanërisht në forcimin e shtetit ligjor, si dhe të sistemit arsimor.
“Për ne më e rëndësishme është të kemi një rezultat të mirë, të arrijmë standardin e BE-së në fushën e edukimit policor”, tha Spajiq.
Gjatë bisedës u konstatua se ka shumë vend për progres dhe si mangësi kryesore zëvendëskryeministri për Sistemin Politik, Drejtësinë dhe Anti-Korrupsion, Momo Koprivica dhe Ministrja e Arsimit, Shkencës dhe Inovacionit, Angjella Jakshiq Stojanoviq, përmendi mungesën e një institucioni të arsimit të lartë policor.
“Kjo krijon shumë probleme. Punonjësit e policisë arrijnë nivelin e shtatë të arsimit duke u diplomuar në shkollat e larta jopolicore. Kjo e vështirëson specializimin në këtë fushë”, theksoi Koprivica.
“Ka një hendek të madh mes nevojave dhe situatës në këtë fushë. Prandaj është e nevojshme të krijohet një institucion i arsimit të lartë sa më shpejt të jetë e mundur dhe tashmë kemi iniciuar disa gjëra në këtë kontekst. Jemi në kontakt me kolegët nga Kroacia, të cilët ishin në një situatë të ngjashme dhe bënë reformat e nevojshme. Përvoja e tyre mund të na ndihmojë shumë”, ka theksuar Jakshiq Stojanoviq.