BLINKEN REAGON PËR VIZITËN NË SHQIPËRI, RIKONFIRMON MBËSHTETJEN E SHBA-së

Sekretari Amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka shpërndarë në rrjetet sociale një postim ku është ndalur tek vizita e tij në Shqipëri.

“Javën e kaluar bëra udhëtimin tim të parë si Sekretar në Shqipëri, një partner i vjetër i SHBA-së e aleat i NATO-s dhe më pas iu bashkova zv/Presidentes Harris në Konferencën e Sigurisë në Mynih”, shkruan Blinken.

Sekretari Blinken ndalet edhe tek ato që ka folur me Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama. Ai shprehet se u ka siguruar atyre mbështetjen e SHBA për rrugën e Shqipërisë drejt BE-së si dhe luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar. Sa i përket ndihmës së Shqipërisë për afganët, Blinken thotë se mishëron humanizmin dhe traditën e vendit tonë për t’u kujdesur për ata që janë në nevojë.

“Në Shqipëri, diskutuam me Presidentin Bajram Begaj dhe Kryeministrin Edi Rama mbështetjen tonë për rrugën drejt suksesit në BE si dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. U takova gjithashtu me ekipin e Ambasadës në Tiranë që punojnë çdo ditë mbi prioritetet kyçe të politikës së jashtme, duke përfshirë rivendosjen e mijëra aleatëve afganë. Ndihma e Shqipërisë në këtë përpjekje mishëron humanizmin dhe traditën e saj të thellë për t’u kujdesuar dhe për të strehuar ata që janë në nevojë”, shprehet Blinken.

Ndër të tjera, Sekretari Blinken ndalet edhe tek takimi në Mynih ku nënvizon mbështetjen për Ukrainën dhe nevojën për sigurinë e qëndrueshme në Lindjen e Mesme. Po ashtu, ai theksoi angazhimin e palëkundur të SHBA-së ndaj sigurisë transatlantike.

Në postimin e tij Blinken ka shpërndarë gjashtë foto, ku pesë prej tyre janë nga vizita në Shqipëri.

Kujtojmë që Sekretari Blinken zhvilloi një vizitë në kryeqytetin shqiptar më 15 Shkurt që zgjati rreth 8 orë. 

SHARE