RATIFIKOHET MARRËVESHJA MES SHQIPËRISË DHE BE-SË PËR AKTIVITETET OPERACIONALE TË FRONTEX-it

Kuvendi i Shqipërisë ka ratifikuar “Marrëveshjen ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian(BE), për aktivitetet operacionale të kryera nga Agjencia Evropiane e Rojës Kufitare dhe Bregdetare (Frontex) në Shqipëri”.

Në seancën e cila zgjati rreth 12 minuta për shkak të bllokimit të diskutimeve nga deputetët opozitarë nga Partia Demokratike(PD) dhe jashtë grupeve parlamentare, projektligji për ratifikimin e marrëveshjes në fjalë u miratua me 73 vota pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim, nga 140 deputetë që ka Kuvendi i Shqipërisë.

Më 15 shtator 2023, Shqipëria dhe Bashkimi Evropian nënshkruan në Tiranë marrëveshjen për aktivitetet operacionale të Frontex-it.

Sipas marrëveshjes, Frontex do të jetë në gjendje të ndihmojë Shqipërinë në menaxhimin e flukseve migratore, luftimin e emigracionit të paligjshëm dhe trajtimin e krimit ndërkufitar.

Autoritetet shqiptare kanë theksuar se sipas marrëveshjes, bashkëpunimi bazohet në parimet e partneritetit dhe respektit të ndërsjellë, ku për secilin aktivitet operativ do të dakordësohet plani operativ ndërmjet Frontex-it dhe Shqipërisë.

Marrëveshja në fjalë do të hyjë në fuqi pas dekretimit të ratifikimit nga Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj dhe 15 ditë pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

SHARE