KATARI DHE FRANCA NDËRMJETËSOJNË NJË MARRËVESHJE MBI DËRGIMIN E ILAÇEVE PËR PENGJET IZRAELITE

Ilaçet për pengjet e rrëmbyera nga Hamasi u nisën drejt Gazës të mërkurën pas një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Katari dhe Franca ndërmjet Izraelit dhe Hamasit.

Marrëveshja është e para mes dyja palëve që nga nëntori, kur marrëveshja për armëpushim një javor u shkel.

Marrëveshja për ilaçet u arrit ndërkohë që konflikti, i cili kaloi 100 ditëshin, nuk jep shenja se është afër përfundimit dhe po nxit tensione nëpër tërë Lindjen e Mesme.

Sulme dhe kundërpërgjigjet ndaj tyre gjatë ditëve të fundit, janë shtrirë nga pjesa veriore e Irakut e deri në Detin e Kuq, nga pjesa jugore e Libanit deri në Pakistan. Ilaçet arritën në Egjipt dhe po transportohen drejt kufirit me Gazën përmes kalimit kufitar në Rafah.

Një zyrtar i lartë i grupit militant Hamas tha se për çdo pako për pengjet, do të ketë 1,000 pako për palestinezët.

Marrëveshja përfshin edhe dërgimin e ndihmës humanitare banorëve të Rripit të Gazës. Militantët palestinezë ende po rezistojnë përgjatë Gazës përballë një prej fushatave ushtarake që ka shkaktuar shkallën më të lartë të të vrarëve në dekadat e fundit.

Rreth 85 për qind e 2.3 milionë banorëve të Rripit të Gazës janë larguar nga shtëpitë e tyre dhe sipas Kombeve të Bashkuara një e katërta e popullatës po vuan nga uria.

SHARE