Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka bërë të ditur se presidenti i Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed al-Nahyan, ka pranuar propozimin e saj për heqjen e vizave për kosovarët.
Përmes një shkrimi në platformën “X”, Osmani ka thënë se marrëveshja ishte arritur gjatë takimit dy palësh në muajin e kaluar dhe “tashmë është nënshkruar, duke hapur rrugë për më shumë mundësi bashkëpunimi midis vendeve tona dhe qytetarëve tanë”.
Lidhur me vendimin për heqjen e vizave ka njoftuar edhe Ambasada e Kosovës në Abu Dabi – kryeqyteti i Emirateve të Bashkuara.
Në njoftim është theksuar se për datën e hyrjes në fuqi të marrëveshjes për heqjen e vizave do të ketë njoftim nga ambasada.
“Deri atëherë, qytetarët e vendit tonë, para se të nisen në Emiratet e Bashkuara Arabe janë të obliguar që të pajisen me viza hyrëse”, ka njoftuar ambasada.
Prej 1 janarit, shtetasit e Kosovës me pasaporta biometrike janë në gjendje të udhëtojnë lirshëm në shtetet e zonës Schengen, pas hyrjes në fuqi të vendimit për liberalizimin e vizave.
Ndërsa më 5 janar u bë e qartë se ata do të mundë ta vizitojnë edhe Spanjën, pas një njoftimi nga Departamenti për Migrim dhe Çështje të Brendshme i Komisionit Evropian, se Spanja njeh tashmë pasaportën e zakonshme kosovare.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.