EKUADORI NË PRAG TË LUFTËS CIVILE, “PLASIN” GRABITJET: 60 DITË GJENDJE EMERGJENCE

I përfshirë nga kaosi, Ekuadori duket se është vetëm një hap larg luftës civile.

Pas vendimit të Presidentit Daniel Noboa për të dekretuar gjendjen e jashtëzakonshme dhe për t`i shpallur 22 banda kriminelësh si grupe terroriste, disa organizata të trafikut të drogës kanë nisur sulme shpaguese në të gjithë vendin. Kudo raportohen përleshje, plaçkitje në qendra tregtare dhe makina të djegura, cka nxiti dhe Perunë të urdhëronte dërgimin e menjëhershëm të forcave speciale të policisë në kufirin me Ekuadorin.

Më herët një grup personash të armatosur mësynë studio e një televizioni publik në qytetin e Guayaquil, dhe e gjithë ngjarja u transmetua live. Mësohet se 13 prej tyre tashmë janë prangosur nga policia. Ndërkohë, raportohet se disa oficerë të policisë janë marrë peng gjetkë dhe flitet për shpërthime në disa pjesë të ndryshme të vendit. Noboa, i cili e mori pushtetin në nëntor, është zotuar të ndalë dhunën e shkaktuar nga tregtia e drogës.

Shpallja e gjendjes së jashtëzakonshme 60 ditore erdhi si përgjigje ndaj dhunës në burgje, ku rojet u morën peng nga të burgosurit, si dhe pështjellimit që shkaktoi arratisja e papritur e liderit të grupit kriminal Los Choneros, Adolfo Macias, të dielën. Të paktën 10 vetë janë vrarë që nga e hëna në këtë vend. Qeveria pohoi se shpërthimi i dhunës është pasojë e planeve të Noboas për ta ndërtuar një burg të ri të sigurisë së lartë dhe për t’i zhvendosur atje liderët e burgosur të grupeve kriminale.

SHARE