BE-ja MIRËPRET VENDIMIN E KOSOVËS DHE SERBISË PËR TARGAT

Bashkimi Evropian ka mirëpritur vendimin e Kosovës dhe Serbisë që zyrtarisht të njohin targat e makinave të njëra-tjetrës dhe të heqin plotësisht regjimin e letrave ngjitëse.

“Ky vendim është hap pozitiv në zbatimin e Marrëveshjes në rrugën drejt normalizimit si dhe i zotimeve të kaluara në kuadër të dialogut që lidhen me lëvizjen e lirë”, tha përmes një deklarate shefi për politikë të jashtme dhe siguri i BE-së, Josep Borrell.

Sipas Borrellit, vendimi i qeverive në Kosovë dhe Serbi për çështjen e targave “dëshmon se arritja e përparimit në avancimin e normalizimit të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është i mundur dhe vë në pah rëndësinë e vazhdimit të punës brenda dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja”.

“Ky vendim po ashtu përbën hap në drejtimin e duhur drejt një integrimi më të mirë rajonal dhe evropian të Ballkanit Perëndimor, nga i cili përfitojnë qytetarët e rajonit”, tha Borrell.

SHARE