UKRAINA PRANON NDIHMË TË RE FINANCIARE NGA EVROPIANËT

Kryeministri ukrainas, Denys Shmyhal, ka thënë se Kievi ka pranuar këstin e fundit prej 1.5 miliard eurosh, prej paketës 18-miliardëshe të ndarë nga Bashkimi Evropian.

“Sot, kemi pranuar 1.5 miliard eurot e fundit prej paketës financiare 18-miliardëshe. Shpresojmë për një mbështetje të vazhdueshme, të palëkundur nga ana e BE-së”, ka thënë Shmyhal në X – platformë e njohur më parë si Twitter, më 21 dhjetor.

Ai e ka bërë deklaratë pasi Gjermania ka njoftuar se do të ndajë 88.5 milionë euro shtesë, për të ndihmuar në përforcim të sistemit ukrainas të energjisë, pas sulmeve ukrainase në këtë infrastrukturë.

Injeksioni i ri financiar vjen teksa pak dihet nëse do të ketë më ndihmë financiare prej Shteteve të Bashkuara, pasi ligjvënësit e Kongresit i kanë përfunduar punimet për këtë vit, pa arritur ndonjë marrëveshje për të ndarë 61 miliardë dollarë për Ukrainën.

Presidenti amerikan, Joe Biden, i ka bërë thirrje Kongresit të miratojë fondet për Ukrainën, mirëpo republikanët konservatorë kanë kërkuar më shumë fonde për përforcim të kufijve amerikanë, për shkak të rritjes së numrit të migrantëve.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka thënë më 19 dhjetor se është i sigurt që Shtetet e Bashkuara do të mbajnë premtimin për të ndarë miliarda dollarë, që i mundësojnë Kievit ta vazhdojë luftën.

SHARE