HERA E PARË / IZRAELI HAP PIKËN KUFITARE PËR NDIHMAT, VRITEN 90 VETË NGA BOMBARDIMET

Izraeli hapi për të parën herë që nga fillimi i luftës pikën kufitare të Kerem Shalomit me Gazën për të lejuar kalimin e kamionëve me ndihma, me qëllim dyfishimin e sasisë së ushqimeve dhe ilaçeve në enklavë.

Nën një kontroll të rreptë është lejuar kalimi i disa prej ngarkesave, duke i dhënë një frymëmarrje të re përpjekjeve për të dërguar ndihma në territorin e gjunjëzuar nga konflikti. Vendimi për hapjen e pikës në fjalë u aprovua nga kabineti i Benjamin Netanyahut dhe lejon në mënyrë specifike transferimin e ndihmës humanitare nga Egjipti në Gaza.

Dy burime të Kryqit të Kuq i thanë Reuters se bëhet fjalë për 79 kamionë me ndihma. Palestinezët nuk patën megjithatë shumë kohë në dispozicion për t`iu gëzuar këtij lajmi. Zyrtarët të shëndetësisë në gaza thanë se të paktën 90 vetë janë vrarë në sulmet ajrore izraelite në Jabalia në veri të territorit.

Nga Tel Avivi, që këmbëngul se po godet atë që e cilëson si infrastrukturë terroriste, nuk ka ende asnjë koment. Jabalia, një pjesë e të cilës është përdorur prej kohësh si kamp refugjatësh- është një nga zonat ku, që nga ditët e para të luftës, Izraeli ka paralajmëruar njerëzit të largohen. Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin pritet të takohet sot me zyrtarë izraelitë, teksa Britania e Madhe, Franca dhe Gjermania kanë shtuar thirrjet për armëpushim.

SHBA-ja nga ana tjetër thuhet se po kërkon të zbusë pak tekstin e projektrezolutës së re në Këshillin e Sigurimit që bën thirrje për ndërprerjen e luftimeve. Ofensiva ushtarake ajrore dhe tokësore e Izraelit në Gazë ka rezultuar me mbi 18.700 palestinezë të vrarë, sipas autoriteteve shëndetësore palestineze, ndërsa mbi 85 për qind e 2.3 milionë banorëve të Gazës, janë shpërngulur prej shtëpive të tyre dhe po jetojnë në kampe të improvizuara.

SHARE