14 persona humbën jetën në Argjentinë nga një stuhi i e dhunshme me shira të rrëmbyer dhe erëra që mbërrinin shpejtësinë 150km/h.
Furia e motit u përplas mbi qytetin port Bahia Blanca, rreth 570km në jug të Buenos Aires, duke dëmtuar godina e duke shkaktuar ndërprerje masive të energjisë elektrike teksa zhvendosej më pas drejt kryeqytetit. Kjo vjen vetëm një javë pasi Javier Milei bëri betimin si president i ri i vendit, duke u kthyer kështu në një sfidë të papritur dhe mjaft të shpejtë për të.
Dy persona të tjerë vdiqën në Uruguain fqinj. Pas përplasjes mbi Bahia Blanca, stuhia shkaktoi shembjen e një pjese të çatisë së një qendre sportive gjatë një gare patinazhi, duke vrarë aty në vend 13 vetë. 14 persona të tjerë u plagosën dhe zjarrfikësit në vendngjarje u detyruan të punonin për të çliruar njerëzit e bllokuar nën rrënoja.
Një grua sakaq humbi jetën në periferi të qytetit, kur u godit nga një degët e një peme që po rrëzohej. Të paktën 300 njerëz janë evakuuar që nga ora 03:30 e mëngjesit me orën lokale. Këshilli bashkiak njoftoi se situata e shkaktuar nga stuhia ishte një “katastrofë”, duke raportuar lëndime të shumta, ndërsa disa prej të plagosurve janë në gjendje serioze.
Me herët, kryebashkiaku Susbielles shpalli tre ditë zie dhe i bëri thirrje qytetarëve të qëndrojnë të sigurt në shtëpi, duke i kujtuar se situata e emergjencës nuk ka kaluar ende, pasi ekziston një rrezik i madh nga shembja e pemëve dhe e strukturave nëpër qytet.