DEPUTETJA BRITANIKE DHE 12 ZYRTARË EVROPIANË KËRKOJNË HEQJEN E MASAVE TË BE-së NDAJ KOSOVËS

Deputetja britanike, Alicia Kearns, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’iu japë fund të gjitha masave kundër Kosovës, dhe të bëhet hetim i plotë për sulmin në Banjskë të Zveçanit.

Në një letër të publikuar më 13 dhjetor në platformën X – të njohur më parë si Twitter – Kearns dhe 12 kryetarë të komiteteve të Parlamentit Evropian, kanë kërkuar që BE-ja të rikthejë bashkëpunimin e plotë me Qeverinë e Kosovës.

“Bojkotimi i zgjedhjeve komunale në krye me Listën Serbe, më 23 prill, sulmi ndaj KFOR-it më 29 maj, ndalim arbitrar i zyrtarëve të Policisë së Kosovës nga autoritetet serbe më 14 qershor, dhe sulmet në Banjskë më 24 shtator, shpërfaqin një formë agresioni, me qëllim të destabilizimit të Kosovës”, është thënë në letrën e nënshkruar prej Kearnsit dhe zyrtarëve tjerë evropianë.

BE-ja pati marrë masa ndëshkuese ndaj Kosovës me arsyetimin se ky vend nuk i ka përmbushur kërkesat e BE-së për shtesnionim të situatës.

Në mesin e masave ka qenë pezullimi i përkohshëm i punës për Marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, si dhe është pezulluar prezenca e Kosovës në organizimet e nivelit të lartë dhe vizitat bilaterale.

Në një takim të zhvilluar, më 12 dhjetor, nga ministrat e Bashkimit Evropian, është thënë se BE-ja ka gatishmëri në heqjen e masave, në rast se do të ketë përparim në përmbushjen e kërkesave.

“Këshilli mirëpret ndërmarrjen e hapave drejt zbatimit të disa kërkesave të BE-së. Këshilli rikujton se BE-ja mbetet e gatshme që të heqë masat, në rast të progresit të mëtejmë në përmbushjen e kërkesave ekzistuese”.

SHARE