Vetëm katër ditë pune kanë mbetur para nisjes së pushimeve dhe Kongresi amerikan është ende larg aprovimit të kërkesës së Shtëpisë së Bardhë për 60 miliardë dollarë ndihma për Ukrainën.
Ligjvënësit republikanë që kanë bllokuar miratimin, e lidhin atë me negocimin e një marrëveshjeje për sigurinë kufitare. Ata insistojnë se nuk mund të kryen financime për konflikte në vende të tjera duke lënë të pa adresuar prioritetet e brendshme.
“Fillimisht duhet të kemi siguri në kufirin tonë në mënyrë që më pas të mund të ndihmojmë aleatët tanë. Presidenti Biden të zbatojë ligjet ekzistuese të imigracionit. Unë nuk kthehem dot në shtetin tim, në Karolinën e Jugut, duke u përpjekur të shpjegoj atje se përse kam ndihmuar Ukrainën, Tajvanin dhe Izraelin dhe nuk kam bërë asgjë për të siguruar kufirin tonë”, tha senatori republikan Lindsey Grahm.
Ne duam t`i ndihmojmë aleatët, është argumenti i republikanëve, por më parë duhet të ndihmojmë veten tonë. Ndihmat për Ukrainën janë pjesë e një pakete shtesë urgjente prej 106 miliardë dollarësh, ku përfshihen ndihmat ushtarake për Izraelin dhe partnerët e Indo-Paqësorit, si dhe për financimin e sigurisë kufitare. Senatorët rifilluan negociatat të enjten pasi nuk arritën të hapnin debatin mbi kërkesën shtesë pas një votimi me rezultatin 49 pro dhe 51 kundër, të mërkurën vonë.