MILLATOVIQ JAVËN E ARDHSHME NË SAMITIN E BE-së – BALLKANI PERËNDIMOR

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq, do të marrë pjesë në Samitin e Bashkimit Evropian (BE) – Ballkani Perëndimor, i cili do të mbahet në Bruksel në mes të javës së ardhshme. 

Siç njofton zyra e tij, Millatoviq do të marrë pjesë në Samit me ftesë të kryetarit të Këshillit Evropian, Charles Michel. 

Në letër thuhet se vendet e Ballkanit Perëndimor kanë një perspektivë të qartë evropiane, e cila është gjithashtu një imperativ gjeostrategjik, veçanërisht pas agresionit rus kundër Ukrainës. 

“Prioriteti i integrimit europian do të jetë përshpejtimi i zbatimit të reformave të nevojshme, përkushtimi i përbashkët ndaj vlerave dhe parimeve europiane, si dhe respektimi i politikave dhe vendimeve të BE-së”, thuhet në letër. 

Shtohet se në të njëjtën kohë duhet të përmirësohet integrimi gradual në mënyrë që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë sa më afër BE-së dhe qytetarët të ndjejnë përfitimet. 

Parakushtet për këtë janë, siç theksohet në letër, forcimi i bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore. 

“Takimi i liderëve të Bashkimit Evropian dhe Ballkanit Perëndimor, i cili po organizohet para sesionit të dhjetorit të Këshillit Evropian, do të jetë një mundësi e shkëlqyer për të shkëmbyer mendime për një sërë temash të rëndësishme”, thuhet në letër. 

Zyra e Millatoviqit njoftoi se gjatë samitit, presidenti do të ketë disa takime bilaterale me zyrtarë të BE-së, përfaqësues të Bankës Evropiane për Investime, Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Bankës Botërore dhe Këshillit për Bashkëpunim Rajonal.

SHARE