Kryesuesi i OSBE-së dhe njëherësh ministër i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, hapi zyrtarisht punimet e Këshillit të 30-të Ministerial që sot dhe nesër mbahet në Shkup.
Në punimet pritet pjesëmarrja e rreth 1.000 personave nga 76 delegacione, prej të cilëve 57 shtete anëtare të OSBE-së.
Türkiye në takim përfaqësohet nga zëvendësministri i Jashtëm, Burak Akçapar.
Në seancën e hapjes, kryesuesi Osmani i dha fjalë kryeministrit të Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, i cili bëri thirrje që të lihen anash agjendat kombëtare, duke theksuar se asnjë vend nuk mund të përparojë i izoluar në planin afatgjatë.
“Kjo ngjarje është kulmi i kryesimit tonë të OSBE-së këtë vit, që edhe në rrethana normale, besoj se do të jeni dakord, nuk është një angazhim i lehtë. Por, kur në dhjetor 2020 na u dha nderi të menaxhojmë këtë organizatë më të madhe rajonale të sigurisë, me konsensus, ishte e vështirë se ndokush mund ta kishte parashikuar se do të kemi turbulenca dhe sfida të tilla në rajonin e OSBE-së dhe më gjerë”, tha Kovaçevski, duke iu referuar agresionit ushtarak rus në Ukrainë.
Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut dhe njëherësh kryesuesi i OSBE-së, Bujar Osmani, në fjalimin e tij u dëshiroi mirëseardhje të gjithë të pranishmëve në Këshillin e 30-të Ministerial.
Ai rikujtoi se paraprakisht është arritur konsensus që Malta të jetë kryesuesi i OSBE-së në vitin 2024, duke shtuar se në kuadër të agjendës së miratuar, kjo gjë do të formalizohet nesër.
“Në fundin e kryesimit tonë, dërgoj mesazhin e shpresës se nuk do të humbasim momentin historik, se do t’i përgjigjemi me përgjegjësi peshës së momentit dhe se do të sigurojmë një të ardhme të parashikueshme dhe konstruktive për OSBE-në”, tha Osmani.
Presidentja e Asamblesë së Përgjithshme të OSBE-së, Pia Kauma tha se OSBE-ja ka arritur të vazhdojë punën e saj pavarësisht mjedisit sfidues të shkaktuar nga “lufta e pajustifikuar e agresionit rus” në Ukrainë dhe faktit se Rusia “vazhdon të shkelë të gjitha 10 parimet e aktit përfundimtar të Helsinkit”.
Megjithatë, theksoi ajo, pengesat me të cilat përballet organizata, si vonesa e marrëveshjes për kryesuesit dhe drejtuesit e institucioneve, bllokimi i miratimit të buxhetit dhe kufizimeve shtesë për operacionet në terren, kërcënojnë sigurinë tonë kolektive.
“Zgjedhësit tanë presin rezultate (nga ne), si përfaqësues të tyre të zgjedhur ne nuk mund të shmangim fajin. Ne duhet të punojmë së bashku drejt zgjidhjeve të qarta. Përballë një pasigurie të tillë të paprecedentë, unë them se OSBE-ja është më vendimtare se kurrë”, tha Kauma.
Sekretarja e përgjithshme e OSBE-së, Helga Maria Schmid tha se derisa jemi mbledhur këtu në Shkup “mjedisi i sigurisë me të cilin po përballemi në rajonin e OSBE-së dhe më gjerë” është përgjegjësi e të gjithëve.
“Sapo dëgjuam nga kryeministri, ministri Osmani dhe nga presidentja Kauma për sfidat serioze me të cilat po përballemi… nga lufta e gjithanshme te terrorizmi, nga krimi dhe korrupsioni i organizuar te ndryshimet klimatike, nga trafikimi i qenieve njerëzore te dhuna me bazë gjinore, intolerancës dhe diskriminimi”, tha Schmid.
Ajo shtoi se OSBE-ja në bazë të parimeve dhe angazhimeve të rëna dakord nga vendet pjesëmarrëse të saj punon dhe do të vazhdojë të punojë në parandalimin e konflikteve duke promovuar dialogun gjithëpërfshirës.
Maqedonia e Veriut kryesoi me OSBE-në gjatë vitit 2023, ndërsa punimet i kreu me sloganin “fjala është për njerëzit”.