Instituti i Shëndetit Publik ka testuar 85 qytetarë nga Tuzi deri këtë mëngjes, 31 prej të cilëve kanë rezultuar pozitiv me koronavirus, tha Ministri i Shëndetësisë Kenan Hrapoviq.
Hrapoviq së bashku me Kryetarin Nik Gjeloshaj si dhe me mjekun e Shëndetit Halil Dukoviq, në Komunën e Tuzit kontrolluan sesi funksionon kujdesi shëndetësor për banorët e vendit, të cilët janë në izolim për katërten ditë me rrallë, mbas konfirmimit të një numri të konsiderueshëm të të infektuarve me koronavirus.
“Sipas Institutit të Shëndetit Publik deri këtë mëngjes, deri në orën tetë, janë testuar gjithsej 85 qytetarë nga komuna e Tuzit. Prej tyre, 31 janë të infektuar me koronavirus. Dy pacientë janë duke u trajtuar në Qendrën Klinike të Malit të Zi dhe sipas informacioneve të siguruara nga vetë unë, ata janë me shëndet të mirë,” tha Hrapoviq.
Ai, sipas njoftimit të Ministrisë së Shëndetësisë, tha se e kupton momentin e vështirë në të cilën gjinden qytetarët e Tuzit, por i inkurajoi ata të këmbëngulnin dhe të ndiqnin të gjitha rekomandimet dhe urdhrat e Trupit Koordinues Kombëtar.
Ai tha se me problemet shoqëruese që zakonisht ndodhin në këto kohë, kujdesi shëndetësor po funksionon në mënyrë të kënaqshme dhe se sistemi ka organizuar kujdes të duhur për pacientët me onkologji.
Hrapoviq gjithashtu thekson se problemet me prokurimin e pajisjeve mjekësore janë adresuar dhe se, falë përpjekjeve të kryeministrit Dushko Markoviq, tre tonë pajisje mbrojtëse mjekësore do të arrijnë sot në Mal të Zi.
Gjeloshaj falënderoi Hrapoviqin dhe Qeverinë për qëndrimin e tyre të kujdesshëm ndaj qytetarëve të Tuzit në këto ditë sfiduese dhe të vështira, duke shtuar se ata organizuan gjithçka që ishte më e nevojshme për të gjitha rastet urgjente dhe problematike.
Dukoviq falënderoi të gjithë ata që ofruan dhe që vazhdimisht po ofrojnë mbështetje për kujdesin shëndetësor për të funksionuar në territorin e komunës së Tuzit. Ai gjithashtu tha se pacientët ishin në gjendje të adaptoheshin në situatën e re brenda një kohe të shkurtër, të ndiqnin rekomandimet dhe se 90 përqind e nevojave në nivelin parësor janë përfunduar në mënyrë elektronike ose përmes telefonit.