BIDEN: BESOJ SE PENGJET DO TË LIROHEN

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, tha të martën se është i angazhuar në bisedime ditore për ta siguruar lirimin e pengjeve që po mbahen nga grupi radikal palestinez, Hamas, i cilësuar nga SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian si organizatë terroriste.

“Mbahuni, ne po vijmë”, tha Biden në Shtëpinë e Bardhë kur u pyet nga gazetarët se cili është mesazhi i tij për anëtarët e familjeve të pengjeve.

Biden theksoi se bisedon çdo ditë me palët e përfshira në bisedime për lirimin e mundshëm të pengjeve, por nuk deshi të japë hollësi.

Luftëtarët e Hamasit i thyen barrierat kufitare dhe u futën në jug të Izraelit më 7 tetor, duke i vrarë 1.200 njerëz dhe duke i rrëmbyer 240 pengje, sipas zyrtarëve izraelitë.

Deri më tani janë liruar katër pengje.

Ndërkohë, në një komunikatë për media të Shtëpisë së Bardhë të dielën, Bideni e dënoi “qartazi” mbajtjen e pengjeve nga Hamasi, përfshirë të fëmijëve të rinj, njëri prej të cilëve është një trevjeçar amerikan, prindërit e të cilit u vranë nga grupi radikal më 7 tetor.

Familjet e pengjeve që po mbahen nga Hamasi në Rripin e Gazës e nisën një marsh pesëditor të martën, nga Tel Avivi në Jerusalem, për t’i kërkuar Qeverisë të bëjë më shumë për lirimin e tyre.

Në Uashington, e planifikuan një “Marsh për Izraelin” të martën pasdite, pas protestave të mëdha nëpër SHBA dhe botë kundër fushatës ushtarake të Izraelit në Gazë.

Mbi 11.000 palestinezë, rreth 40% fëmijë, janë vrarë si pasojë e bombardimeve izraelite në Gazë, sipas Ministrisë së Shëndetësisë së Gazës, e cila udhëhiqet nga Hamasi.

SHARE