Progresi i Malit të Zi qëndron në fuqinë e grave të tij, tha ministri për të Drejtat e Njeriut dhe të Pakicave, Fatmir Gjeka, dhe shtoi se fuqizimi ekonomik i grave është një hap kyç drejt prosperitetit dhe ekuilibrit në shoqëri.
“I ftoj të gjitha gratë në Mal të Zi të njohin potencialin e tyre dhe të hyjnë me guxim në botën e biznesit. Së bashku ne mund të ndërtojmë një të ardhme në të cilën gratë luajnë një rol kyç në zhvillimin ekonomik të Malit të Zi”, tha Gjeka, duke shprehur mbështetje të fortë për programin e zhvillimit të grave lidere për postet vendimmarrëse ekonomike, Gratë në Borde, të inicuar nga Fondi për Investim dhe Zhvillim (IRF).
Gjeka, siç raporton IRF, tha se mirëpret iniciativën që synon ndërtimin e një shoqërie gjithëpërfshirëse, të drejtë dhe të begatë.
“Fuqizimi ekonomik i grave nuk është vetëm një çështje e drejtësisë dhe e të drejtave të njeriut, por edhe një faktor kyç për rritjen ekonomike dhe stabilitetin e Malit të Zi. Kështu bëhemi më konkurrues në tregun e punës dhe të gatshëm për të marrë role udhëheqëse”, tha ministri.
Sipas tij, Mali i Zi ka një histori të pasur dhe trashëgimi kulturore, por edhe burime që presin të zbulohen dhe shfrytëzohen.
Kjo, shtoi ai, është një mundësi për gratë që të përfshihen në lidership, inovacion dhe ndërmarrësi.