GJELOSHAJ DO TË ZËVENDËSOHET NGA LINDON GJELAJ

Pozita e kryetarit të komunës së Tuzit i mbetet Alternativës Shqiptare, sepse është e specifikuar në marrëveshjen e koalicionit, dhe më i afërti për momentin në këtë post është Lindon Gjelaj, nënkryetari i komunës, tha për „Dan“, Nikollë Camaj, kryetar nderi i Lidhjes Demokratike Shqiptare.

Ndryshimi në krye të komunës ndodh pasi kryetari aktual Nik Gjeloshaj u zgjodh zëvendëskryeministër dhe ministër i Zhvillimit Ekonomik.

“Nuk ka disponueshmëri tani për të hapur asnjë pyetje për atë që tashmë është rënë dakord. Komuna funksionon dhe është stabile. Në fund të fundit nuk ka rëndësi kush do të jetë kryetar, sepse sistemi është i vendosur mirë dhe në të punojnë profesionistët”, tha Camaj për Dan.

“Nuk kemi biseduar në detaje, Gjeloshaj ka një muaj në dispozicion, por Gjelaj aktualisht është kandidati më serioz për marrjen e postit. Të gjitha indikacionet tregojnë se do të jetë ai. Ai ka kolegë të shkëlqyer si Ivan Ivanaj, nënkryetarin e dytë, i cili prej pesë vitesh është aty dhe e njeh punën e tij. Po ashtu, sekretari për Financa, sekretari për Urbanistikë, si dhe shumë të tjerë. Sistemi është funksional. Njerëzit rreth kryetarit janë të përgjegjshëm, kanë përvojë, kështu që komuna mund të ecë përpara vetëm drejt suksesit”, tha Camaj.

Ai theksoi se të gjithë do të donin që Nik Gjeloshaj të qëndronte deri në fund të mandatit, por do të pasohet nga një njeri që mund t’i përgjigjet detyrës.

“Ne si partnerë do të donim që Nik Gjeloshaj të qëndronte deri në fund të mandatit, por për ne si politikanë më e rëndësishmja është të ruajmë dhe zhvillojmë Tuzin dhe të jemi të përkushtuar. Mbështetja e pushtetit qendror nuk mjafton, nëse nuk marrim përgjegjësi dhe nuk kontribuojmë. Nuk pres që kryetari i ri të ketë probleme që nuk mund të zgjidhen”, thotë Camaj.

Ai thekson se Komuna është lënë në gjendje të mirë.

“Vetëm të vazhdojmë rrugën që kemi marrë. Komuna ka burime të besueshme financimi për të mbijetuar, për të shërbyer, për të ofruar shërbime publike dhe për të investuar. Shpresoj që do të përfundojmë edhe disa fonde të tjera. Ne do të punojmë që vetëqeverisjes lokale t’i mundësojmë decentralizimin e pushtetit në mënyrë që të gjitha komunat të kenë qarkullim më të madh të mjeteve. Tani sistemi në Mal të Zi është tepër i centralizuar. Nëse ia dalim, do të jetë mirë”, tha Camaj.

SHARE