S`KA MË KTHIM PRAPA, BIDEN: TË KRIJOHET SHTETI I PALESTINËS

Me konfliktin mes Izraelit e Hamasit tashmë në javën e tretë dhe kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu që paralajmëron se kjo ka për të qenë një fazë e gjatë dhe e vështirë, presidenti amerikan, Joe Biden po kërkon zgjidhje afatgjata, duke e cilësuar prioritet gjetjen e një marrëveshjeje për zgjidhjen me dy shteteve

“Nuk mund të kthehemi në status quo-në e përpara 6 tetorit”, deklaroi ai duke iu referuar një ditë para se militantët e Hamasit të sulmonin Izraelin dhe të nxisnin hakmarrjen e ashpër të këtij të fundit. Këtë mesazh, siç pohoi Shtëpia e Bardhë, Biden ia ka përcjellë direkt Netanyahut gjatë bisedës telefonike që liderët zhvilluan javën e kaluar.

“Kjo nënkupton se kur të mbarojë kriza, duhet të ketë një vizion se çfarë vjen më pas. Sipas mendimit tonë, duhet të jetë zgjidhja me dy shtete”, tha Biden.

Edhe pse presidentë të mëparshëm amerikane dhe diplomatë në Lindjen e Mesme e kanë kërkuar prej dekadash një zgjidhje të tillë, ajo nuk u arrit kurrë e u la në harresë që kur përpjekjet e fundit për bisedime të paqes, të udhëhequra nga SHBA-ja, dështuan më 2014 pas mospajtimeve lidhur me vendbanimet izraelite, lirimin e të burgosurve palestinezë dhe çështje të tjera.

Shtetësia palestineze është diçka që Biden pak e ka përmendur në fillim të mandatit të tij, megjithatë, gjatë vizitës në Bregun e pushtuar Perëndimor vitin e kaluar, ai qe shprehur se “kushtet nuk ishin pjekur ende”, për të nxitur tentativat e një paqeje të përhershme.

SHARE