Kosova ka pranuar Marrëveshjen Bazike të Brukselit të 27 shkurtit 2023 dhe Aneksin Zbatues të Ohrit të 18 marsit 2023, deklaron Kryeministria, në një deklaratë për shtyp.
Marrëveshja duhet zbatuar në tërësi, pa kushte, pa vonesa, shkruhet më tej. Por, sipas Kurtit, presidenti i Serbisë e ka refuzuar marrëveshjen.
Në takimin me Kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz, me Presidentin e Francës, Emmanuel Macron, Kryeministren e Italisë, Giorgia Meloni, Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel, zëvendës Presidentin e Komisionit Evropian dhe Përfaqësuesin e Lartë për Politikë të Jashtme dhe të Sigurisë, Josep Borrell, si dhe emisarin e tij, Miroslav Lajcak, kryeministri Kurti theksoi se pas sulmit të agresionit të 24 shtatorit në Zveçan, prioritet për të është siguria në Kosovë, në veçanti siguria e kufirit me Serbinë.
Sipas deklaratës, Kurti ka kërkuar që grupi paramilitar terrorist i Milan Radojçiç dhe përgjegjësit e tjerë duhet të ekstradohen në Kosovë, ku do të kishte një gjykim të drejtë.
Kryeministri Kurti rikujtoi që ai ishte i gatshëm të nënshkruajë edhe në Bruksel më 27 shkurt 2023 edhe në Ohër më 18 mars 2023, edhe sonte, më 26 tetor 2023, duke theksuar që pikërisht Samiti i Këshillit Evropian në Bruksel është ngjarja e duhur, në vendin e duhur për nënshkrim të Marrëveshjes Bazike, përfshirë edhe draftin e ofruar nga BE-ja dhe SHBA-të për zbatimin e nenit 7 në ndërlidhje të nenit 10 të Marrëveshjes Bazike. Përkundër kësaj oferte gjeneroze të Kryeministrit Kurti, Presidenti i Serbisë, Vucic, ka refuzuar të nënshkruajë marrëveshje me Kosovën, dhe ka kërkuar që t’i pranohet një letër anësore me të cilën praktikisht i zhbën tri parime të Marrëveshjes Bazë, të Aneksit të Zbatimit si dhe të draftit të propozuar nga pesë emisarët me 21 tetor 2023.
“Pranimi nënkupton nënshkrim, vetëm nënshkrimi nënkupton pranimin dhe garanton zbatimin”, tha Kurti në fund të takimit, sipas Kryeministrisë.