E lehtë dhe shumë e shëndetshme. Supa me brokoli është receta më e mirë për të mbajtur trupin në formë dhe mendjen e mprehtë.
Kjo supë është një alternativë shumë e mirë për të ngrohur organizmin dhe për të mposhtur virozat e stinës.
AgroWeb.org ju sugjeron më poshtë recetën e shijshme të supës me mish pule dhe brokoli, e cila përgatitet krejt lehtë në shtëpi dhe është ideale për vaktin e drekës por edhe të darkës.
Përgatitja e Supës me Pulë dhe Brokoli
Përbërësit
(Përbërësit më poshtë janë për 4-5 persona)
- Një pulë e vogël ose 4-5 copa mish pule
- 300 gr brokoli
- 1 patate mesatare
- 1 karrotë (sipas preferencës)
- Një lugë çaji me gjalpë të freskët
- 2-3 lugë gjelle vaj ulliri
- Kripë
- Piper
Përgatitja
Pastrojmë mishin e pulës me ujë të rrjedhshëm.
Pastrojmë me ujë të rrjedhshëm brokolit, të cilat i ndajmë në degëza ndërsa patatet i presim në kubikë shumë të vegjël. Nëse dëshironi të shtoni edhe karrota prijini ato në kubikë shumë të vegjël gjithashtu.
Vendosim një tenxhere në zjarr dhe hedhim vajin e ullirit dhe pak gjalpë të freskët, shtojmë patatet, i kaurdisim për disa minuta dhe më pas shtojmë brokolit, i kaurdisim pak dhe i heqim dhe i vendosim në një enë mënjanë.
Ndërkohë në tenxheren me yndyrën e mbetur shtojmë copat e mishit të pulës i kaurdisim, shtojmë kripën dhe më pas shtojmë ujë derisa të mbulohen mirë dhe e lëmë që të ziejë.
Pasi mishi i pulës të ketë zierë, shtojmë brokolit dhe patatet dhe i lëmë të ziejnë për maskimumi 5-7 minuta.
Vlerat ushqimore të brokolit
Vlerat ushqimore, e bëjnë brokolin një nga perimet e gjelbra më të shëndetshme në botë. Bëhet fjalë për një perime miqësore me stomakun, të lirë në çmim por shumë të pasur në vlera dhe shije.
Brokoli është i pasur edhe me fibër të tretshme që nxjerr kolesterolin e keq jashtë trupit. Kjo perime shërben edhe si antioksidant duke qenë se ka nivele të larta e të përqendruara të vitaminës C dhe flavonoidëve që përmirësojnë funksionet e kësaj vitamine.
Brokoli është i pasur me mineralet alkalinë dhe si çdo perime tjetër e ndihmon organizmin të ulë nivelet e dëmshme të aciditetit dhe e pastron atë nga toksinat.
Brokoli përmban nivele të larta të kalciumit dhe vitaminës K, të cilat janë të rëndësishme për shëndetin e kockave dhe parandalimin e osteoporozës. Kjo perime e gjelbër bën mrekullira për zemrën./AgroWeb.org