Nga Strasburgu, Parlamenti Europian përcolli mesazhin se në konfliktin e ripërtërirë në Lindjen e Mesme, dënon si sulmin terrorist të Hamasit, ashtu edhe vrasjen e civilëve të pambrojtur në Rripin e Gazës.
E drejta ndërkombëtare duhet respektuar, u tha në sallë ku ndodheshin edhe të afërm të pengjeve të rrëmbyera nga grupit militant palestinez. Parlamenti kërkoi lirimin e menjëhershëm të tyre, teksa disa referues tërhoqën vëmendjen, se lufta e shpallur nga Izraeli kundër Hamasit e ka rritur rrezikun e terrorit edhe në bllokun europian. Sulmet në Francë dhe në Belgjikë janë dëshmia e parë, se terrori islamik po kthehet në Europë. Presidentja e Komisionit të BE-së, e cila ditët e fundit është kritikuar nga deputetët si shumë e njëanshme në favor të Izraelit, e dënoi goditjen e spitalit në Gaza, ku humbën jetën qindra vetë.
“Nuk ka shfajësim për goditjen ndaj spitalit plot me civilë. Tani duhet të zbardhet, se kush është përgjegjës për sulmin. Të gjitha faktet duhet të shtrohen në tryezë”, u shpreh Von der Leyen.
Hamasi akuzoi Izraelin për ngjarjen e rëndë, ndërsa ushtria izraelite foli për lëshimin e gabuar të një rakete të grupit terrorist Xhihadi Islamik, e cila në fakt kishte synuar të godiste shtetin hebre. Deputeti spanjoll, Manu Pineda kryetar i delegacionit parlamentar për palestinezët akuzoi qeverinë e Izraelit, se është një “regjim” që po bën gjenocid dhe po e shndërron rripin e Gazës në një “geto të re të Varshavës”. Për këtë eurodeputetit iu hoq e drejta e fjalës nga presidentja e parlamentit.