Presidenti i Kroacisë, Zoran Milanoviq, ka filluar vizitën shtetërore dyditore në Shqipëri, ndërkohë është pritur me ceremoni zyrtare nga presidenti Bajram Begaj.
Ceremonia zyrtare e pritjes me nderime ushtarake është zhvilluar në selinë e Presidencës së Shqipërisë, me pjesëmarrjen e delegacioneve nga të dyja vendet.
Presidenti Begaj theksoi në fjalën e tij se vizita e presidentit Milanoviq në Tiranë vjen në një moment kyç, veçanërisht për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sipas tij, ku Shqipëria dhe Kroacia janë kontribuese aktive dhe faktorë të rëndësishëm e të qenësishëm për paqen dhe stabilitetin e rajonit.
Begaj theksoi gjithashtu se ka njohur presidentin Milanoviq me problematikat me të cilat përballet minoriteti shqiptar në Luginën e Preshevës dhe shtoi se në takimet me parterët ndërkombëtarë ka tërhequr gjithmonë vëmendjen për të drejtat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.
Nga ana tjetër, presidenti Milanoviq theksoi se në mbi 20 vite është dëshmitar i përparimit të Shqipërisë në të gjitha aspektet.
“Fatkeqësisht ky progres nuk është përcjellë me reagime të duhura institucionale nga ana e Bashkimit Evropian. Të NATO-s po, por jo të BE-së. Duket që kemi një problem. Përderisa koha kalon më duket sikur pengesat bëhen disi më të fryra, më të vështira, më të ndërlikuara. Fatkeqësisht shumë pak gjëra janë duke u bërë për të ndryshuar kjo dhe Shqipëria nuk e di se çfarë tjetër do mund të bënte”, tha Milanoviq.
Mbi tensionet e fundit në veri të Kosovës, presidenti kroat tha se, “Unë para dy javësh kam thënë që Serbia dhe presidenti Vuçiq (presidenti serb, Aleksandar Vuçiq) na kanë borxh përgjigje konkrete. “
Sanksione të caktuara ndaj Serbisë dhe ndaj qytetarëve të Serbisë në tërësi nuk do të sillnin asgjë, nuk sjellin asgjë. Nuk ka sanksione të cilat do të ishin frutdhënëse”, shtoi Milanoviq.