Ish-ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj është zgjedhur Raportuese e Përgjithshme për dhunën ndaj grave në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Për herë të parë një përfaqësues i Shqipërisë duke përfshirë edhe vendet e rajonit në Këshillin e Evropës propozohet dhe votohet në pozicionin e Raportueses së Përgjithshme për dhunën ndaj grave.
Sipas njoftimit të publikuar nga Asambleja parlamentare e Këshillit të Europës, pozicioni i lartë që do të mbajë Gjonaj ka në fokusin e saj mbrojtjen e të drejtave të grave dhe vajzave dhe veçanërisht për mbrojtjen e dhunës ndaj tyre.
Në intervistë të realizuar nga Këshilli i Europës, Gjonaj ka prezantuar prioritetet e mandatit të saj si Raportuese e përgjithshme:
“Fuqizimi i grave dhe i vajzave në të gjitha fushat e jetës si dhe advokimi për të drejtat e tyre
Mbështetja dhe mbrojtja e avokateve të të drejtave të grave viktima të dhunës me bazë gjinore si dhe grave në sistemin e drejtësisë
Garantimi i aksesit në drejtësi të të gjitha grave dhe vajzave subjekt të dhunës me bazë gjinore dhe garantimi i mekanizmit për kompensimin e viktimave, me fokus viktimat e dhunës në luftën në Ukrainë dhe në vendet në konflikt”.
Deputetja Gjonaj si Raportuese e Përgjithshme do të kontribuojë në rritjen e ndërgjegjësimit të promovimit dhe fuqizimit të të drejtave të grave për Këshillin e Europës dhe në ndjekjen e zhvillimeve në 46 shtetet anëtare të Këshillit të Evropës mbi fenomenin e dhunës ndaj grave.
Ajo do të jetë përfaqësuesja e Asamblesë parlamentare të Këshillit të Europës për dhunën ndaj grave dhe do të bashkërendojë punën në bashkëpunim të ngushtë edhe me institucionet e shteteve anëtare, me organizmat e tjerë ndërkombëtare jashtë Këshillit të Europës, si Kombet e Bashkuara, Bashkimin Europian e OSBE.
“Ndihem e nderuar që jam zgjedhur Raportuese e Përgjithshme në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës për dhunën ndaj grave! Mezi presim të vazhdojmë me prioritetet ambicioze për parandalimin dhe luftimin e #VAW dhe avancimin e të drejtave të grave.“- u shpreh Etilda Gjonaj në “X” pas marrjes së detyrës.